Bota
Rusia kërcënon Italinë: Do të shembet plotësisht nëse vazhdon të ndihmojë Ukrainën
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë italiane pas rënies së pjesshme të një ndërtese historike pranë Koloseut në Romë, duke e lidhur ngjarjen me politikat ekonomike të Italisë.
Në një postim në Telegram, Zaharova deklaroi se Italia “do të shembet plotësisht” nëse vazhdon të shpenzojë paratë e taksapaguesve për Ukrainën, në vend që t’i përdorë për nevojat e veta të brendshme.
“Të kujtoj se në maj, Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi se mbështetja për Ukrainën, përfshirë ndihmën ushtarake dhe kontributet përmes mekanizmave të BE-së, arrin në rreth 2.5 miliardë euro. Prej tyre, 1 miliard euro shkon për refugjatët, 310 milionë për buxhetin e shtetit ukrainas dhe 93 milionë euro për ndihmë humanitare,” – shkroi Zaharova.
Ajo shtoi se “sa më shumë qeveria italiane të shpërdorojë fondet publike, aq më shumë do të shembet Italia, nga ekonomia deri te kullat”.
Sipas agjencisë italiane ANSA, nga shembja e kullës historike në qendër të Romës janë plagosur të paktën tre persona, një prej të cilëve në gjendje të rëndë.