Connect with us

Bota

Rusia paralajmëron Amerikën për Venezuelën: Mos bëni ndonjë ‘gabim fatal’

Rusia i ka bërë thirrje administratës së Donald Trump të tregojë përmbajtje në krizën me Venezuelën, duke paralajmëruar se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të ketë pasoja të paparashikueshme për gjithë hemisferën perëndimore.

Reagimi i Moskës vjen pasi presidenti amerikan urdhëroi këtë javë një bllokadë ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që operojnë për Venezuelën, një veprim që shënon një fazë të re tensioni mes Washingtonit dhe vendit të Amerikës Latine, të drejtuar nga presidenti autoritar i majtë Nicolas Maduro.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse tha se shpreson që Shtëpia e Bardhë “të mos lejojë një gabim fatal dhe të përmbahet nga rrëshqitja drejt një situate që kërcënon me pasoja të paparashikueshme për të gjithë hemisferën perëndimore”.

Moska kërkoi hapur “de-përshkallëzim” dhe rikonfirmoi mbështetjen e saj për qeverinë e Maduros.

Kremlini bëri të ditur se ndodhet në “kontakt të vazhdueshëm” me Venezuelën, të cilën e cilësoi si “aleate dhe partnere”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rajonit të tregojnë përmbajtje për të shmangur çdo zhvillim të paparashikueshëm të situatës”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Bllokada dhe reagimi i Karakasit

Vendimi i Trump për bllokimin e cisternave të naftës ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të zbatohet në praktikë, veçanërisht në kushtet kur anije luftarake amerikane ndodhen në Detin e Karaibeve.

Në deklaratën e tij, Trump tha se “Venezuela është plotësisht e rrethuar nga armata më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”, një koment që ka shtuar frikën për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.

Nga ana tjetër, autoritetet venezuelase kanë deklaruar se eksportet e naftës bruto nuk janë prekur nga njoftimi amerikan, duke sinjalizuar një qëndrim sfidues ndaj Washingtonit.

Maduro cilësohet një aleat i afërt i Kremlinit dhe ka qenë për vite me radhë një vizitor i shpeshtë në Moskë. Rusia ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë venezuelase, veçanërisht përmes sektorit energjetik, në një kohë kur vendi është përballur me sanksione të ashpra perëndimore.

Presidenti rus Vladimir Putin ka riafirmuar mbështetjen për Maduron edhe në një bisedë telefonike të zhvilluar më herët këtë muaj, duke e bërë të qartë se Moska e sheh Venezuelën si një partner strategjik në Amerikën Latine.

Tensionet e fundit rrisin rrezikun e një përplasjeje më të gjerë gjeopolitike, ndërsa Rusia dhe SHBA-të përplasen sërish për ndikim në një rajon që tradicionalisht konsiderohet sferë interesi amerikane.

Advertisement