Connect with us

Shkrime

Rusia po destabilizon Kosovën përmes Kishës Ortodokse Serbe

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese dhe njohëse e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Kosova dhe Bosnje-Hercegovina vazhdojnë të mbeten dy “kutitë shpërthyese” në rajon dhe ka theksuar se Kisha Ortodokse Serbe po luan rol të rëndësishëm në përshkallëzimin e situatës, veçanërisht në Kosovë.

Ajo ka nënvizuar se edhe pse popullsia e Kosovës përbëhet nga mbi 90 për qind shqiptarë etnikë, serbët atje ende e shohin Kosovën “atdhe stërgjyshorë” që mban vendet e shenjta të Kishes Ortodokse Serbe.

Ajo ka theksuar se ashtu siç shpërthyen luftërat në ish-Jugosllavi midis grupeve të ndryshme fetare dhe etnike në fillim të viteve 1990, ngjashëm Rusia po përdor Kishën Ortodokse Serbe për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin, teksa dhe ka kujtuar protestat e dhunshme të serbëve në pjesën veriore të Kosovës

Stradner ka shkruar më tej se në vend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qortojnë provokimet e Serbisë, administrata amerikane ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për thellimin e krizës në veri, njëkohësisht duke e lavdëruar Serbinë për konstruktivitet. Ajo ka vlerësuar se kjo “qasje e çuditshme” e SHBA-va i ka rrënjët tek strategjia e presidentit amerikan Joe Biden.

“SHBA-të janë të shqetësuara se nëse Serbia shprehet e pakënaqur me politikën e jashtme të SHBA-ve, ajo mund të rreshtohet plotësisht me Rusinë, duke i mundësuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin të përshkallëzojë dhunën në Kosovë dhe të destabilizojë rajonin. Megjithatë, administrata Biden duhet të kuptojë se dobësia e inkurajon agresionin e Kremlinit në rajon” – theksoi Stradner. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, vazhdimisht ka përsëritur se Beogradi nuk do t’i mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia gjithashtu mbështetet te Rusia, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Advertisement