Connect with us

Kosova

Rusia po e mban Kosovën në teh të pushkës/ Stradner hap dosjen e fshehur

Kosova mbetet pikë qendrore në narrativën ruse, e përshkruar vazhdimisht si e dështuar dhe e paqëndrueshme dhe për ekspertët, ky portretizim paraqet rrezik real dhe nuk ka gjasa të ndryshojë. Sipas tyre, është vetë Kosova ajo që duhet të marrë më shumë masa për te mbrojtur ligjshmërinë e saj në skenën globale.

Kërcënimi për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës “është i madh dhe i vërtetë”, pati vlerësuar para pak muajsh Ivana Stradner, hulumtuese e lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.

Ajo tha se kjo qëndron, pasi Rusia – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – po kërkon që ta shpërqendrojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ku, sipas saj, nuk po performon mirë.

Për këtë, sipas Stradnerit, Rusia po kërkon “pika të cenueshme në Perëndim dhe pika më e cenueshme aktualisht në Evropë është Ballkani: Bosnje e Hercegovina dhe Kosova”.

Pikërisht veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës u cilësuan nga Shtetet e Bashkuara si rreziqet kryesore për sigurinë në rajon, ku duhet të përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.

Edhe Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë, nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të dhunshme në Kosovë, pasi, thotë ai, në Serbi ka qarqe që synojnë destabilizimin.

Një tjetër aspekt në këtë çështje, sipas Shtunit, është se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë mesazh të qartë nga Uashingtoni se “çfarëdo agresioni i dhunshëm ndaj Kosovës dhe ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, do të jetë i papranueshëm”.

Stradner, ndërkaq nga ana tjeter, nuk beson se në Ballkanin Perëndimor do të ketë një konflikt në shkallë të gjerë, sikurse ai në Ukrainë. Megjithatë, ajo pohon se në Ballkan ka aktivitete që mund të konsiderohen “luftë hibride”.

Ajo ka shprehur shqetësim për narrativën që po shtyn përpara Rusia se gjoja Perëndimi po synon të hapë një front të ri. Sipas saj, presidenti Putin do që t’i thotë Perëndimit se, “nëse nuk do që Ballkani të përshkallëzohet, atëherë duhet të negociosh me Rusinë”.

Advertisement