Bota
“Rusia si një partner,aleat apo koloni e Kinës?”
Nga Eljanos Kasaj
Gjatë takimit të Presidentit rus Vladimir Putin me homologu i tij kinez Xi Jinping në fillim të këtij muaj në Pekin në kuadër të festimeve grandioze ushtarake të Ditës së Fitores së Kinës kundër Pushtimit Japonez dhe Luftës Botërore Anti-Fashiste, udhëheqësi rus i ka përshëndetur mardhëniet e ngushta midis dy vendeve, të cilat janë të bazuara në parimet e palëkundura të “barazisë, ndihmës dhe mbështetjes së ndërsjellë dhe miqësisë së pathyeshme midis vendeve dhe popujve tanë”.
Përtej pompoziteteve diplomatike ose mesazheve politike që tërheqin sot vëmendjen e mediave perëndimore, prania e Kinës në jetën e përditshme në Rusi po bëhet gjithnjë e më e theksuar, nga gjuha, kultura dhe artet te turizmi dhe mallrat e konsumit-duket se Kina ka arritur në mënyrë impresionuese të mbushë boshllëkun e lënë prej tërheqjes së Perëndimit nga tregu rus pas fillimit të konfliktit të armatosur ruso-ukrainas në vitin 2022.
Vetëm një vit më parë, nën duartrokitjet e zjarrta të spektatorëve të zgjedhur dhe zyrtarëve shtetëror prej të dy vendeve, në Teatrin e Madh Kombëtar të Pekinit, Presidenti Putin dhe Presidenti Xi shpallën vitet 2024-2025 Vitet e Kulturës së Kinës dhe Rusisë, duke planifikuar mbi 230 evente kulturore në pothuajse 100 qytete në Rusi dhe Kinë.
Në kuadër të kësaj atmosfere të ngrohtë vllazërore në prill, Teatri i Operas dhe Vallëzimit i Shenzhenit solli shfaqjen e tij “Wing Chun” për publikun rus në Teatrin Balshoi të Moskës. Trupa e baletit dhe orkestra e Balshoi-t ia kthyen “nderin” e shkëmbimit kulturor me një turne artistik në Pekin dhe Shenzhen gjatë muajit maj.
Ndërsa Festivali i Vitit të Ri Kinez i këtij viti në Manjezhnaja Plloshçad në qendër të Moskës, vetëm disa metra larg Sheshit të Kuq dhe Kremlinit(qendrës politike të Rusisë), tërhoqi turma kaq të mëdha saqë njerëzit po rreshtoheshin shumë kohë përpara se të hapeshin portat. Sipas nënkryetares së bashkisë së Moskës, Natalia Sergunina, programi i Festivalit do të përfshinte më shumë se 300 evente të veçanta për promovimin e kulturës kineze, të tilla si klasa master, ture me guidë, shfaqje teatrale, shfaqje muzikore dhe gatimi.
Gjuha kineze sot si tatarishtja e Hordhisë së Artë dikur
Gjatë periudhës së sundimit mongol mbi tokat ruse u zhvilluan shumë kontakte të rëndësishme kulturore dhe ndërpersonale(miqësi,martesa) midis klasave sunduese sllave dhe atyre mongolo-tatare. Deri në vitin 1450, gjuha tatare ishte bërë e modës në oborrin e Princit të Madh të Moskës, Vasilij II, i cili u akuzua prej bojarëve të tij për dashurinë e tepruar ndaj tatarëve, gjuhës dhe retorikës së të folurit të tyre.
Rreth 450 vjet më vonë historia ironikisht duket se po e përsërit vetveten, ku sërishmi një gjuhë aziatke është duke fituar dominancë mbi jetën politike, ekonomike, kulturore dhe sociale në Rusi.
Sot një numër gjithnjë e në rritje rusësh(sidomos në brezin e ri) janë të etur të studiojnë kinezishten, duke e parë atë si një aftësi shumë konkurruese për avancim në karrierë krahas anglishtes.
Kinezishtja është tani gjuha e dytë e huaj më e popullarizuar në vend midis rusëve të pasur dhe elitave politike, duke lënë pas vetëm anglishten. Ndërsa numri i shkollave në Moskë që ofrojnë mësime kineze është rritur gjithashtu me 123% dhe mbi 10,000 nxënës shkolle moskovit aktualisht po e mësojnë atë.
Kërkesa për specialistë që flasin rrjedhshëm gjuhën kineze gjithashtu është rritur më shumë se 1.6 herë midis viteve 2023 dhe 2024, sipas një ankete të kryer nga shërbimi i kërkimit të punës SuperJob.ru . Ku kërkesa më e lartë vjen nga industritë e transportit dhe logjistikës, të cilat sot e kryejnë shumicën e aktivitetit ekonomik të tyre me kompanitë, bizneset dhe tregjet kineze.
Dominimi i në tregun rus i “Made in China”
Për shumë konsumator rusë,ashtu si për shumë popuj të Evropës Lindore, kontakti me kulturën kineze të konsumit ka qenë prej kohësh pjesë e jetës së përditëshme, sidomos në klasat e mesme ose të ulta të shoqërisë.
Nga telefonat inteligjentë(smartphone),rrobat e deri te këpucët, etiketa “Made in China” është sot kudo, veçanërisht pasi sanksionet perëndimore ndërprenë aksesin e konsumatorëve rusë në shumë produkte të konsumit perëndimor.
Të paktën 71% dhe 57% e të anketuarve rusë thanë se kishin veshur rroba dhe këpucë kineze, përkatësisht, sipas anketuesit të pavarur të Qendrës Levada, duke treguar kështu një dominim të padiskutueshëm të mallrave kineze në tregjet e konsumit rus. Por, duhet të theksojmë këtu se kjo prani e Kinës në jetën e përditshme të konsumatorëve rusë është deri diku “artificiale” dhe e nxitur jo-prej kërkesës së vet tregut rus se sa prej faktit se qeveria ruse është sot duke u përpjekur ta riorientojë konsumatorin rus drejt produkteve me origjinë nga “vended mike”, shkembimet tregtare me të cilat sot janë vitale për ekonominë ruse.
Riorientimi i turizmit rus prej Evropës drejt Kinës
Turizmi është një tjetër sektor i impaktuar drejtpërsëdrejti nga ngrohja e mardhënive midis Rusisë dhe Kinës .
Ndërsa afërsisht 6% e rusëve prej Rusisë Evropiane kanë vizituar Kinën, një përqindje kjo modeste krahasuar me përqindjen e rusëve që kanë vizituar Evropën ose SHBA-në, shifrat janë shumë më të larta në Siberi ose Lindjen e Largët të Rusisë, ku gati gjysma e popullsisë ka kaluar të paktën një herë kufirin ruso-kinez, ka treguar një studim i kohë të fundit i Qendrës Levada.
Më shumë se 1 milion rusë udhëtuan në Kinë në gjysmën e parë të vitit 2025, gati një e treta më shumë se vitin e kaluar, duke e bërë Kinën destinacionin e tyre të pestë më të vizituar, sipas shërbimit kufitar të Rusisë.
Futja e një regjimi pa viza, i cili do t’u lejojë rusëve të udhëtojnë në Kinë deri në 30 ditë nga 15 shtatori, pritet të rrisë më tej turizmin, blerjet dhe kontaktet midis dy popujve, duke bërë që Kina të kthehet në një destinacion po aq popullor sa Turqia dhe Tajlanda, ka deklaruar për Agjencinë Telegrafike të Lajmeve Ruse TASS shërbimi për shtyp i Unionit Rus të Industrisë së Udhëtimeve (RST).
Por, çfarë mendojnë rusët për Kinën?
Sondazhet e publikuara së fundi nga Qendra e Pavarur Levada sugjerojnë se dhe perceptimet publike për Kinën kanë ndryshuar gjithashtu në mënyrë dramatike në dy dekadat e fundit.
Dy të tretat e të anketuarve rus sot e shohin Kinën si një “fuqi të madhe” krahasuar me vetëm një të pestën e të anketuarve dy dekada më parë.
Qendra Levada vuri në dukje gjithashtu se pikëpamjet e rusëve mbi Kinën morën formë kryesisht gjatë përplasjes diplomatike të Rusisë me Perëndimin për shkak të krizës politike Ukrainës në mesin e viteve 2010. Kur në vitin 2014 Perëndimi vendosi sanksionet e para anti-rise,për mbështetjen që Rusia i dha referendumit të popullit të Krimesë për të qenë pjesë e Rusisë dhe lëvizjeve separatiste të popullsisë autoktone ruse në rajonet e Ukrainës lindore, përqindja e rusëve që e shihnin Kinën si një vend mik u dyfishua nga 20% në 40%.
Një rritje e ngjashme ndodhi pas fillimit të konfliktit të armatosur ruso-ukrainas në vitin 2022, me 65% të të anketuarve që e konsideronin Kinën një komb mik dhe opinionet pozitive për vendin arritën një shifër rekord prej 92%!
Por sipas të dhënave të Levadës, jo-pak janë ata që e perceptojnë gjithashtu marrëdhënien aktuale Rusi-Kinë si asimetrike, ku Kina përfiton më shumë dhe Rusia vepron si një “shtojcë e lëndëve të para” për industritë gjigande të Kinës dhe një treg për mallrat kineze.
Megjithatë, kur u pyetën drejtpërdrejt nëse Kina përbën një kërcënim për Rusinë, vetëm një në pesë të anketuar thanë se po, ndërsa shumica dërrmuese -rreth 72%-nuk ishin dakord.
Ndryshime të tilla në mënyrën se si njerëzit reagojnë në anketa ose sondazhe sociale mund të shpjegohen jo vetëm nga situata aktuale gjeopolitike, por edhe nga mënyra se si ajo pasqyrohet (filtrohet) sot për publikun rus në median dhe politikën ruse, ku për momentin, Kina konsiderohet një aleate,partnere dhe mike e ngushtë e Rusisë.