Bota
Rusia siguron një regjistrim të konferencës së zyrtarëve ushtarakë gjermanë/ Rritet frika nga…
Autoritetet gjermane kanë rënë nën mikroskopin e një regjistrimi të publikuar në mediat ruse të një video-konference të zyrtarëve të lartë ushtarakë që flasin për armët dhe Ukrainën, duke ngritur frikën për spiunazh nga Moska. Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha sot se ai nuk mund të konfirmonte vërtetësinë e regjistrimit, por Shërbimi Federal i Kundërzbulimit Ushtarak po hetonte çështjen dhe do të merreshin të gjitha masat e nevojshme.
Margarita Simonyan, një gazetare e televizionit shtetëror rus dhe kreu i Russia Today, ishte e para që publikoi audion të premtenm, e cila u postua edhe në kanalin e saj Telegram. Pjesëmarrësit në bisedën e regjistruar diskutojnë për dërgimin e mundshëm të raketave të lundrimit Taurus në Kiev, të cilat kancelari Olaf Scholz deri më tani e ka refuzuar publikisht, si dhe për trajnimin e ushtarëve ukrainas.
Kancelari gjerman u tha gazetarëve se rrjedhja e mundshme ishte shumë serioze. Ndërsa ambasada ruse në Berlin nuk iu përgjigj një kërkese të dërguar me email për koment.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli për “plane tinëzare të Bundesëehr-it (forcat e armatosura gjermane), të cilat u bënë të dukshme për shkak të publikimit të këtij regjistrimi. Është një vetëekspozim i hapur”.
Roderich Kiesewetter, një anëtar i parlamentit gjerman, i tha gazetës Handelsblatt se ai i konsideronte raportet autentike.“Rusia sigurisht po tregon se sa shumë përdor spiunazhin dhe sabotimin si pjesë të luftës hibride. Pritet që shumë më tepër të përgjohen dhe të rrjedhin për të ndikuar në vendime, për të diskredituar dhe manipuluar njerëzit”, tha ai.