Lifestyle
Sa më e shtrenjtë dasma, aq më shumë shance për divorc
Sa më shumë para të shpenzohen për një martesë, aq më të larta janë shanset për divorc. Këto janë përfundimet e një studimi, publikuar së fundmi në CNN.
Ishin dy profesorë të degës së ekonomisë nga Universiteti Emory, Profesor Hugo M. Mialon dhe Andrew M. Francis, ata që hulumtuan dhe realizuan një studim të hollësishëm mbi të dhënat e 3000 çifteve të martuar.
Në mënyrë të veçantë, studimi zbuloi se martesat që kishin kushtuar më shumë se 20,000 dollarë (të dhënat janë për shoqërinë amrikane) por që këto shifra i gjejmë edhe në shoqërinë tonë, kishin një normë afërsisht 1.6 herë më të lartë divorci sesa dasmat, kostoja e të cilave kishte qenë diku tek 5000 dhe 10,000 $.
Ky është një informacion interesant duke marrë parasysh që çiftet në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë mesatarisht 29,858 dollarë për ditën e tyre të madhe (shifër e regjistruar në 2013) sipas të dhënave të 13 mijë çifteve.
Të shpenzosh kaq shumë për një ngjarje jetësore është bërë si normë dhe është shndërruar në një industri të vërtetë fitimi.
“Reklamimi i kësaj industrisë ka krijuar përshtypjen se shpenzimi i shumave të mëdha për dasmën është shenjë e angazhimit ose është i domosdoshëm që një martesë të jetë e suksesshme. Në përgjithësi, përfundimet tona japin pak prova që mbështesin këtë lidhje ! Madje sipas të dhënave kjo gjë, shkon në përpjesëtim të zhdrejtë.” tha studiuesi për CNN.
Shuma e parave të shpenzuara në unazën e fejesës gjithashtu luan një rol në jetëgjatësinë e dasmës.
Duke shpenzuar 2,000 deri në 4,000 $ në një unazë fejese do të thotë që ju keni 1.3 herë më shumë mundësi të divorcoheni në krahasim me njerëzit që shpenzojnë 500 deri në 2,000 dollarë për një unazë.
Është e rëndësishme të theksohet se edhe autorët e studimit nuk janë të sigurtë se pse ekziston një lidhje midis shumës së parave të shpenzuara për martesën dhe shansit për divorc, por është për t’u vlerësuar si studim.