Politike
Sali Berisha kërkon përjashtimin e Shqipërisë nga NATO
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka marrë pjesë nëpërmjet një lidhje live, pasi ndodhet në arrest shtëpiak, në aktivitetin dedikuar 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ai u shpreh se Shqipëria nuk plotëson kriteret politike të jetë anëtare e aleancës së NATO-s.
“Duhet të them dy fjalë përsëri. Gjatë këtyre 10 viteve, sigurisht ka një bashkëpunim të qartë mes Shqipërisë dhe NATO-s. Dhe Shqipëria duhet të përmbushë çdo detyrim, pasi la detyrimet që kishte për buxhetin 2 përqind. E reduktoi buxhetin e mbrojtjes në shifra qesharake. Bazat e ushtrisë u bënë pre e mafies më të rrezikshme të Europës.
Për dijeninë tuaj, ata që nisën përgatitjen për bazën e Kuçovës, u arrestuan pa asnjë motiv nga rilindësit sapo erdhën në pushtet. Dhe në një akt tjetër të turpshëm, Edi Rama urdhëroi zhdukjen nga të gjitha institucionet e flamurit të NATO-s, vetëm e vetëm se kjo ishte një arritje e paraardhësve të tij. Sot, mendoj se në rrafshin politik, Shqipëria nuk plotëson më kriterët politike për të qenë anëtarë e kësaj aleance.
Sot, 93 përqind, 95 përqind e të gjithë zyrtarëve të lartë të emëruar dhe të zgjedhur, i përkasin partisë shtet dhe ky model nuk ka asgjë të përbashkët me modelin politik të anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot njeriu që ka përqendruar të gjitha pushtetet, përdor sistemin gjyqësor për grusht shteti kundër parlamentit, për të marrë pushtetet e parlamentit.
Të vendosë kushtetutshmërinë si shtyllë qendrore të një rendi demokratik. Dhe unë kam bindjen se ky përvjetor do jetë për ne, një përvjetor frymëzues për përmbushjen e objektivave të reja tona. Edhe njëherë ju falënderoj shumë dhe ju uroj këtë ditë”, tha Berisha.