Politike
Sali Berisha: Mos mendoni se po vdiqa unë, do shpëtoni
Sali Berisha nuk bën pushim as kur është festë.
Në kohën që njerëzit hanin dhe festonin darkën e Novruzit, ai doli majë penxheres, për të thënë se socialistët dhe Edi Rama nuk do të shpëtojnë, edhe po vdiq ai.
“Të garantoj se pas 32 vitesh, Sali Berisha është 32 herë më i motivuar në betejë kundër teje, kundër diktaturës tënde.
Mos mendo o mjeran diferencën e moshës, se po ta them këtu para shqiptarëve, kauza e drejtë nuk ka moshë.
Moshën e përcakton kauza që mbron. Idealet që mbron.
I rrethuar nga një bandë Dumanësh, Krajësh dhe llumi gjokërash me shokë.
Ti nuk ke shpresë mor, nuk ke të ardhme.
Kurse unë sot ndjehem po aq i ri sa 32 vite më parë, po aq i fuqishëm.
Se kauza ime është po ajo, kauza e pavdekshme”, iu drejtua ai Edi Ramës nga maja e penxheres, ndërsa njerëzit festonin nëpër ristorante apo shtëpitë e tyre.
Sipas tij, PD nuk ka vdekje, dhe këtë e tregoi edhe ’97-a, kur edhe atëherë, Berisha thotë se kishte gjithë botën kundër, por në fund triumfoi.
“Pasi humbi zgjedhjet dhe dorëzoi pushtetin për shkak të gabimit të saj me skemat piramidale, armiqtë tanë menduan se ne do të ndryheshim në banesën e harresës, se fara jonë si demokratë do shuhej. Se PD nuk do kishte më.
E gjithë bota kundër nesh.
Por ne qëndruam në kauzën tonë.
Miqtë e mi!
Qëndruam në kauzën tonë të drejtë sepse Shqipëria duhet të kishte opozitë.
Dhe Shqipëria pa opozitë ishte shumë herë më e tmerrshme se piramidat e mashtrimit që u shembën nga PD.
PD nuk u mposht, përkundrazi ajo mblodhi një nga një shqiptarët idealistë, djem, vajza, burrat e gratë e idealeve të larta njerëzore, i motivoi për kauzën e drejtë.
Dhe në vitin 2005, në qershor, ata që erdhën me rebelim në pushtet, u përzunë me votën e lirë të shqiptarëve”, tha ai.