Connect with us

Politike

Salianji kritikon deputetët e PD: Nuk duhet të binin në kurthin e Ramës. Berisha nuk mund të ikë, por…

Partia Demokratike ka nevojë të ripërtërihet, theksoi ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, dhe kryetari Sali Berisha duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për ta realizuar si proces.

Në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj për rubrikën “Tema e Ditës” në RTSH 1 HD, z. Salianji tregoi se aksionet e fundit opozitare po provojnë se kampi i tij ende vazhdon të luftojë politikisht në kushte jo të mira. Ai tha se kolegët e tij po bien vazhdimisht në kurthet e kryeministrit Edi Rama, siç ndodhi, sipas tij, edhe në seancën plenare të javës së kaluar për votëbesimin e qeverisë.

Qeveria apo Edi Rama, që e drejton qeverinë, kishte arsyet e veta për të mos e lejuar debatin, për shkak se mbas tri mandateve qeverisje katastrofike, Edi Rama nuk ka më çfarë t’u thotë shqiptarëve. E gjithë narrativa e tij e tanishme është shpikja e elementeve që nuk sjellin asnjë gjë pozitive për qytetarët, si ‘Diella’, për shembull. Mendoj, pa diskutim, që edhe kolegët e mi dhe opozita duhet ta menaxhonin më mirë. Duhet bërë gjithçka na takon neve si opozitë, dhe grupit parlamentar, që të menaxhojmë çdo kurth. Pra, nuk mund të biem në çdo kurth që ngre Rama. Sepse është e qartë që ne, qytetarëve shqiptarë sot nuk ka nevojë t’ua përsërisim në mënyrë të përditshme që Edi Rama bën këtë, bën atë. Ne jemi në një regjim dhe në kushtet e një regjimi duhet të përpiqesh të luftosh dhe të marrësh hapësirat si në një regjim,” u shpreh z. Salianji.

Kryedemokrati Berisha konsiderohet një figurë emblematike e partisë që ai e ka drejtuar në vazhdimësi disa herë prej vitit 1990. Edhe z. Salianji e sheh atë si një simbol përbashkues për shkak të historisë së partisë, por edhe historisë së vetë z. Berisha.

Në çdo moment, në çdo rrethanë, Sali Berisha ka për të qenë një prej simboleve që e mban atë parti të bashkuar. Kështu që në këtë kuptim diskutimi nuk është çfarë do të bëhet me Sali Berishën, çfarë do të bëhet me Partinë Demokratike, duke përfshirë dhe duke qenë përbashkues ndaj të gjitha kontributeve, gjithë sakrificave dhe gjithë elementeve të tjera. Unë besoj që Sali Berisha do të dijë që të bëjë lëvizjet e duhura për ta zmadhuar dhe rifuziquar Partinë Demokratike, duke e ripërtërirë. Unë jam i bindur që pa Sali Berishën është një zgjidhje e dëmshme për Partinë Demokratike, prandaj i takon Sali Berishës, si simbol, por edhe si kryetar i Partisë Demokratike për të bërë përpjekjet dhe hapjet për ripërtëritje, që unë mendoj se duhen bërë me hapa të shpejtë pa pasur asnjë vonesë,” tha ish-deputeti demokrat.

Advertisement