Connect with us

Politike

Salianji përballë Berishës për kryetar të PD, edhe Alesia Balliu shpall kandidaturën

Deri tani tre janë kandidatët që do të sfidojnë Sali Berishën për pozicionin e kryetarit të Partisë Demokratike në zgjedhje e brendshme të 23 majit. Burime të besueshme pranë Ervin Salianjit, bëjnë me dije se ish-deputeti do të garojë për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ky hap i mundshëm i Salianjit vjen pas një turi të gjatë takimesh që ish-deputeti po zhvillon prej disa muajsh me anëtarësinë e partisë që është e pakënaqur me udhëheqjen e Berishës dhe besnikëve të tij.
Edhe anëtarja dhe aktivistja e njohur e Partisë Demokratike, Alesia Balliu, tha ekskluzivisht në emision me Denis Mingën vendimin e saj për të garuar për lidershipin e Partisë Demokratike.
Balliu theksoi se Berisha është një figurë e konsumuar në opinionin publik, dhe politikisht “shterpë”, pasi edhe për shkak të moshës 81-vjeçare kryedemokrati nuk mund të ndjekë zhvillimet dhe politikën bashkëkohore.
“Padiskutim që ditët në vijim do të jap një platformë dhe do të dorëzoj dokumentet. Kam qenë në krye të forumit rinor, kam qenë drejtuese për rininë në gjithë qarkun e Elbasanit, kam dhënë dorëheqjen nga postet drejtuese në PD, por jam anëtare. Nuk di të jetë marrë ndonjë vendim për përjashtimin tim nga PD. Koha e Sali Berishës ka përfunduar dhe ta thashë. Unë nuk mendoj që një person 81 vjeç mund të ecë me ritmin e kohës dhe padyshim nuk e shoh të arsyeshme. Mosha biologjike nuk e lejon Berishën ta bëjë PD një parti fituese. Nga ana tjetër jam një vajzë e re, e pakorruptuar dhe kam qenë një zë kritik. Jam e pakorruptuar, kam avantazh padiskutim atë çka do populli dhe demokratët për momentin, që është rinovimi dhe figurat e reja në PD. Këto figura nuk mund të garojnë për herë të pestë dhe të thonë që po bëjmë ndryshimin e madh”,- tha Balliu.
Për të marrë në dorë drejtimin e PD-së do të garojë edhe aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, e cila de facto shpalli dje kandidaturën e saj. Kokalari deklaroi sot se kërkesa për futjen e saj në garë për kreun e PD-së do i dorëzohet Berishës nga avokatë amerikanë. Ajo shtoi se pas kualifikimit në garë për kreun e PD-së, pret që të zhvillojë debate televizive të modelit amerikan, përballë kryedemokratit.

Advertisement