Politike
Samiti i BE më 16 maj/ Macron në Tiranë, shpallet pushim për administratën në Tiranë

Presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Tiranën në maj, duke shënuar kështu vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri. Vizita e tij, korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet me datë 15 dhe 16 maj.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” bëri të ditur vizitën e Macron, gjatë takimit me ministrin Francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka nisur një vizitë dy-ditore në Shqipëri. Në këtë takim, palët kanë theksuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Avancojmë në thellimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe shumëdimensionale mes Shqipërisë dhe Francës mike. Në nisje të vizitës së tij dyditore në Shqipëri, pata kënaqësinë të mikprisja Ministrin francez për Evropën, z. Benjamin Haddad. Diskutuam për përkushtimin tonë të përbashkët ndaj integrimit evropian, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në rajon. Shqipëria vlerëson mbështetjen e palëkundur të Francës për rrugëtimin tonë drejt BE-së, si dhe rolin e saj thelbësor në krijimin e Komunitetit Politik Evropian — samiti i ardhshëm i të cilit do të mbahet në Tiranë më 16 maj 2025”, shkruan Hasani.
Po ashtu, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, datat 15 dhe 16 maj janë shpallur pushim zyrtar për institucionet në bashkitë Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë. Vendimi u mor sot gjatë takimit të Këshillit të Ministrave. Këto data do të jenë pushim për punonënjësit e administratës shtetërore, por në përjashtim të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe të punonjësve të sistemit shëndetësor.
“1. Caktimin e datave 15 dhe 16 maj 2025 ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, me seli në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë, me përjashtim të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe të punonjësve të sistemit shëndetësor.
2. Dita e punës së datave 15 dhe 16 maj 2025, për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të zëvendësohet në ditët e pushimit brenda vitit 2025.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, thuhet në vendim.

Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi për herë të parë Shqipërinë në një vizitë zyrtare më 16 tetor të 2023, ku u prit me ceremoni shtetërore. Në fokus të kësaj vizite ishin marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme si kultura, arsimi, ekonomia apo energjia.

