Kosova
Samiti në Uashington, SHBA e BE deklaratë të përbashkët për Kosovën e Serbinë
Pas takimit në mes të krerëve të Bashkimit Evropian dhe presidentit të SHBA-së, Joe Biden, Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni zyrtar kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët ku mes tjerash japin një mesazh edhe përsa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Në komunikatën e lëshuar pas Samitit BE-SHBA që u mbajt në Washington, thuhet se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë në mënyrë urgjente tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen për normalizim të raporteve dhe të kthehen në dialog. “Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën ne BE të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatë.
Deklarata vjen një ditë para se pesë zyrtarë perëndimorë do të nisin nesër vizitën në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Pjesë e delegacionit janë i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak i dërguari i Shteteve të Bashkuara Gabriel Escobar si dhe këshilltarët e udhëheqësve të Francës, Emanuel Bonne, ai i Gjermanisë Jens Plotner dhe i Italisë, Francesco Talo, do të qëndrojnë të shtunën në Prishtinë dhe në Beograd. Diplomatët perëndimorë nënvizojnë se sulmi i 24 shtatorit dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më 27 shkurt dhe 18 mars të këtij viti. Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë vizitës në Tiranë më 17 tetor 2023, nënvizoi se Franca po ndjek me vëmendje tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar marrëveshjen “një udhërrëfyes solid dhe të mirë”. Tensionet mes palëve arritën kulmin që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pas sulmit të një grupi të armatosur serbësh drejt policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici i Kosovës Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe grupit ser btë armatosur mbetën të vrarë dhe 3 sulmues. Autoritetet e Kosovës fajësojnë Serbinë për sulmin dhe deklarojnë se pas këtij sulmi gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut. Ndërkohë Vuçiç e mohon e fajëson kryeministrin Albin Kurti. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i cili më pas hoqi dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiçit nga Serbia.