Kosova
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Bislimi zbulon se kur do të hiqen masat
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se Bashkimi Evropian pritet t’i heq masat ndaj vendit tonë, para takimit Kurti-Vuçiç të 14 shtatorit në Bruksel.
Ai duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë një interviste për Danas, ka thënë se zgjidhja e konfliktit dhe dialogu nuk ka të bëjë me fitimin e njërës palë dhe humbjen e palës tjetër, pasi të gjithë do të përfitojnë nga një normalizim i plotë, duke përfshirë rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.
“Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, tha Bislimi.
Ai tha se zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mund të çojë situatën në një stabilizim. Bislimi tha se vendimet madhore duhet të merren nga liderët e guximshëm. Gjithashtu shpreson se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcën për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike.