Bota
Schmidt në OKB: Bosnja është në krizën më të thellë që nga Marrëveshja e Dejtonit

Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, duke paraqitur raportin gjashtëmujor para Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Bosnje, theksoi se vendi ndodhet në një “krizë politike, por jo edhe të sigurisë”, dhe se “nuk ka rrezik për luftë”.
Megjithatë, ai theksoi se situata në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit nuk ka qenë kurrë më e keqe dhe se gjithçka nisi pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodikut, çka u përdor nga autoritetet e Republikës Sërpska si justifikim për hapa drejt “de facto shkëputjes”, përfshirë nismën për hartimin e një Kushtetute të re për entitetin serb.
“Kjo është kulmimi i politikave që janë zbatuar prej kohësh, për të cilat kam paralajmëruar edhe në raportet e mia të mëparshme”, tha Schmidt.
Ai shtoi se situata ekonomike po përmirësohet lehtësisht, por se vendi ndodhet në një krizë të thellë demografike. Marrëveshja e paqes e Dejtonit, sipas tij, mbetet themeli mbi të cilin mund të ndërtohet e ardhmja e Bosnje e Hercegovinës.
Megjithatë, ai nënvizoi se kjo nuk nënkupton se nuk mund të diskutohen amendamente dhe ndryshime të nevojshme në Kushtetutën shtetërore (e cila është pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit).
Schmidt shtoi se, para 30 vjetësh kur përfundoi lufta në Bosnje, “askush nuk e kishte menduar se bashkësia ndërkombëtare do të ishte ende kaq e nevojshme edhe sot”.
Duke e përmbyllur fjalimin, ai u bëri thirrje liderëve të vendit të vazhdojnë rrugën drejt integrimeve evropiane, ndërsa bashkësinë ndërkombëtare e ftoi të vazhdojë mbështetjen për vendin dhe qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, në mënyrë që ata “të mos harrohen”.
Nga ana tjetër, kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, deklaroi se Republika Sërpska nuk po e minon Marrëveshjen e Dejtonit, por po e mbështet atë.
Ajo theksoi se po i drejtohej Këshillit të Sigurimit si përfaqësuese e zgjedhur me vota nga Republika Sërpska dhe përsëriti qëndrimin e njohur të këtij entiteti se dëshirojnë rikthimin te “versioni origjinal” i Marrëveshjes së Dejtonit.

