Connect with us

Kosova

Schmitt: Vuçiç ideologjikisht nga Rusia – Kosova e vetmja demokraci funksionale në rajon

Drejtori i Departamentit të Kërkimeve Ballkanike në Akademinë e Shkencave Austriake, Oliver Jens Schmitt, ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainë, mendohej se Kosova do të përfitonte nga ky ndryshim gjeopolitik, mirëpo dërgimi i armëve nga Serbia në Ukrainë e ndryshoi këtë rrjedhë.

“Fillimisht, besohej se Kosova do të përfitonte nga ndryshimi gjeopolitik, sepse marrëdhënia e Ukrainës me Rusinë ka shumë ngjashmëri me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës: Rusia dhe Serbia jo vetëm që mohojnë shtetësinë e njëra-tjetrës, por edhe ekzistencën e tyre si popull. Ka edhe teori serbe se shqiptarët në fakt janë serbë të konvertuar në islam”, tha Schmitt në një intervistë për median zvicerane “Swiss Info”.

Megjithatë, pohoi historiani i mirënjohur, “deri në aktet e dhunës nga ekstremistët serbë në shtator 2023, qeveria e Kosovës ishte mjaft e izoluar, sepse qeveria serbe ka një lidhje të mirë me SHBA-në falë dërgesave të municioneve në Ukrainë që janë të rëndësishme për përpjekjet e luftës”.

“Aleksandër Vuçiç, i cili gjithashtu është i prirur ideologjikisht drejt Rusisë, nuk është një demokrat, por një sundimtar autoritar që vepron brutalisht. Fakti që Perëndimi po i afrohet është gjithashtu i rrezikshëm sepse Kosova është e vetmja demokraci funksionale në rajon” – theksoi Oliver Jens Schmitt, duke shtuar se SHBA po e dëmton Kosovën duke mbajtur qëndrim në favor të Vuçiç-it.

Advertisement