Connect with us

Bota

Scholz i bën thirrje BE-së dhe SHBA-së: Ofroni më shumë ndihmë për Ukrainën

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të rrisin përpjekjet e tyre për të ofruar ndihmë për Ukrainën, që po përballet me luftë, para se udhëheqësi gjerman të takohet në Uashington me presidentin amerikan, Joe Biden.Vizita e Scholzit në Uashington do të realizohet pasi në Senatin amerikan, republikanët bllokuan paketën e ndihmës për Ukrainën, në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë që të gjithë të bëjmë më shumë”, tha Scholz në Berlin, duke shtuar se ajo që është premtuar nga Evropa dhe SHBA-ja për Kievin në luftën e tij kundër Moskës, “nuk mjafton”.Udhëheqësit e BE-së javën e kaluar u pajtuan për ndihmë për Ukrainën në vlerë prej 50 miliardë eurosh.

Udhëheqësi gjerman ka thënë se ky vendim i BE-së mund të ndihmojë Bidenin në përpjekjet e tij për të shtyrë përpara pakon amerikane të ndihmës për Ukrainën.Scholz tha se Gjermania “ka bërë kontribut të madh, por vetëm nuk mund të ofrojë mjaftueshëm” ndihmë për Kievin.

“Tani është momenti kur ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi dhe bashkërisht t’i japim mundësinë Ukrainës që të mbrojë veten”, tha ai.Scholz pritet që të premten të takohet në Uashington me presidentin amerikan, Joe Biden.

Pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka nisur në shkurt të vitit 2022 dhe Ukraina varet shumë nga ndihma ushtarake që i japin aleatët e saj për t’iu kundërvënë forcave të Moskës.

Advertisement