Sport
‘S’do dalim kampion Evrope, por sot fitojmë’, Armand Duka: Hysaj? Nuk flas me trajnerët për zgjedhjet që bëjnë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka foli në prag të ndeshjes kundër Kroacisë, duke thënë se shpreson te tri pikët, ndërsa sot ka karikuar ekipin.
“Nuk është se i kam ngacmuar çunat sot. U thashë: ‘Nuk kemi ardhur këtu të dalim kampionë Europe, por kemi ardhur të japim më të mirën tonë’. Nëse japim gjithçka kemi dhe shkarkojmë ngarkesën emocionale, uroj të mos e kemi presionin që kishin në 30 minutat e para me Italinë.
U thashë çunave se unë jam krenar për ta, dhe të gjithë shqiptarët janë krenarë. Të gjithë ju shohin si heronj, dhe do të vazhdojnë t’u shohin të tillë. Kam ndjenjë pozitive, pavarësisht se Kroacia është ekip i madh. Kam besim se mund të fitojmë ndeshjen sot.
Hysaj? Kam kaluar shumë trajnerë, të gjithë e konfirmojnë se kurrë nuk kam biseduar me ta për zgjedhje teknike. Hysaj e vlerësoj shumë si futbollist, ka kontribuuar shumë për Kombëtaren. Komplimenti më i madh është për tifozët shqiptarë. Kanë treguar edhe një sjellje më europiane se europianët. Jam krenar për ta”, deklaroi kreu i futbollit.