Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi në qytetin e Elbasanit, bëri premtime të rëndësishme për arsimin dhe mësuesit. Ai deklaroi se mësuesit do të kenë një pagë prej 1500 eurosh në krye të një mandati, duke e cilësuar këtë qytet si djep të arsimit.

“Jua premtoj këtë nga ky qytet, djep i arsimit. Mësuesit nuk do të largohen për mungesë orësh nga sistemi arsimor,” tha Berisha, duke theksuar se do të bëhet një ristrukturim i sistemit arsimor.

Ai theksoi se numri i nxënësve në klasë do të reduktohet në 25, duke eliminuar situatën aktuale me 40 nxënës në një klasë. Berisha gjithashtu preku rëndësinë e teknologjisë në arsimin e sotëm, duke njoftuar se tabelat digjitale do të vendosen në të gjitha shkollat e mesme dhe 9-vjeçare, si pjesë e një procesi të thellë digjitalizimi të sistemit arsimor.

Me këto angazhime, Berisha shprehu besimin se do të krijohet një ambient më të favorshëm për mësimdhënësit dhe nxënësit, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.