Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Seancë maratonë, Kuvendi miraton punën me detyrim për mjekët dhe kanabisin

TIRANË– Mes debatesh e një seance e cila zgjati pas mesnate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi 3 projektligjet që kanë qenë kryefjalë e ditëve të fundit. Në seancë, ku ishin prezentë 95 deputetë u miratua me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Studentët e Mjekësisë do firmosin një marrëveshje që do të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit. Kjo nismë e qeverisë për frenimin e ikjes së studentëve nga vendi i tyre, solli pakënaqësi tek mjekët e rinj, të cilët akuzuan qeverinë se po i kthen pas në kohën e komunizmit. Në të njëjtën linjë qe edhe opozita, të cilët përsëritën se nisma është antikushtetuese.

Nga ana tjetër, ministret e Arsimit dhe Shëndetësisë, Kushi dhe Manastirliu theksuan disa herë se në të tilla raste, kur ka mungesë të burimeve njerëzore, shteti merr masa, andaj ligji jo vetëm që nuk është antikushtetues por është i nevojshëm. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi nënvizoi se nëse pr/ligji nuk miratohej në seancën e fundit plenare, do ishte shumë vonë. Gjithashtu, Kushi përmendi edhe koston e ulët krahasuar me shpenzimet që qytetarët shqiptarë paguajnë përmes taksave për studentët e Mjekësisë, gjë që sipas saj nuk do ishte e drejtë të shpërbleheshin me mungesë të ‘bluzave të bardha’.

Nga ana tjetër, edhe opozita bëri një tentativë për të futur studentët e Mjekësisë brenda Parlamentit, ashtu siç ata kërkonin. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi iu drejtua kryeparlamentares Nikolla duke i thënë se ka bazë në rregullore që studentët e Mjekësisë të futen në sallë, gjë që nuk u pranua nga drejtuesja e seancës me argumentin se studentët kanë qenë pjesë e Komisioneve Parlamentare.

Duhet theksuar se Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor nëse ligji miratohet në Kuvend, ata janë shprehur se do të vijojnë protestat deri në fund madje kanë parlajmëruar se ligjin do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Një tjetër projektligj që së fundmi kishte ngjallur shumë debate ishte legalizimi i kanabisit mjekësor. Edhe ky projektligj u miratua në seancë plenare me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Kjo nismë e qeverisë pati sërish përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, ku kjo e fundit akuzohej se po i jepte një mundësi të artë krimit që të kishin Shqipërinë territor të lirë për të kultivuar bimë narkotike. Ndërkohë, Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së kanabisit të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Mëngjesin e djeshëm, Berisha u afrua pranë foltores së Kuvendit, i shoqëruar edhe nga deputet e grupit të tij, teksa mbanin në duar banderola të Ramës me foto kanabisi.

Kreut të Akademisë së Shkencave tashmë do t’i lejohet të ketë një mandat të dytë. Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenim pr/ligjin për Akademinë e Shkencave. Sipas kësaj nisme të propozuar nga dy deputetë të mazhorancës, kryetari i Akademisë së Shkencave i lejohet një mandat i dytë ndërsa i hiqet edhe kufizimi i moshës 75 vjeç. Edhe ky projektligj ka qenë qysh herët i kritikuar dhe i kundërshtuar nga opozita, sipas të cilëve po favorizohet Skëndër Gjinushi i cili përpos se ka qenë pjesë e politikës nga kampi rozë, nuk është as akademik.

Ndonëse në seancën maratonë u miratuan projektligje me shumë interes, duhet theksuar se në Kuvendin e Shqipërisë nuk u pranuan kërkesat e opozitës për interpelancë apo mocion me debat për kryeçështjen Ahmetaj dhe inceneratorët. Opozita e shihte të arsyeshme që kryeministri Rama të ishte pjesë e seancës si dhe të flitej për çështjen e inceneratorëve. Partia Socialiste rrëzoi kërkesat e opozitës me argumentin se nuk ishte urgjente.

Advertisement