Aktualitet
Sejamini kundër thirrjes së Berishës: Qeveria teknike, ide mediokre dhe kurth për opozitën si në 2017-ën
Sali Berisha, përsëriti sonte thirrjen drejtuar Ramës që të realizohet një qeveri teknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Analisti Neritan Sejamini, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, se kjo ide është mediokre dhe kurth për opozitën, siç ka ndodhur edhe në vitin 2017.
“Nuk e di si PD-ja e përqafoi idenë e qeverisë teknike, siç ndodhi herën e fundit në vitin 2017 me Lulzim Bashën dhe që në Evropë e ka patur vetëm Maqedonia e Veriut, që e bëri për një marrëveshje.
Qeveria teknike nuk ka lidhje me asgjë në botë, me asnjë praktikë demokratike, është një ide mediokre dhe kurth për opozitën, siç e pamë në 2017 që Rama ia dha dhe e pamë se çfarë ndodhi.
Por ajo që më shqetëson që PD po kërkon qeverinë teknike që s’do ta marrë kurrë dhe them sot, se s’kanë për ta marrë kurrë qeverinë teknike dhe nëse do e marrë do të jetë një hile, se ta fut në një vend tjetër.
Logjika e opozitës është që Edi Rama është kriminel që vjedh zgjedhjet, me kriminelë dhe banditë, bën edhe gjenocid. Ne nuk i fitojmë zgjedhjet me Ramën, por i themi na jep qeverinë teknike që të fitojmë ne dhe jo ti…”-tha Sejamini.