Bota
Sekretari amerikan i Shtetit reagon ndaj skandalit: Dikush bëri një gabim të madh

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar ndaj skandalit të njohur si “Signalgate”, i cili shpërtheu pas zbulimit të përdorimit të aplikacionit Signal për shkëmbimin e informacionit mes funksionarëve të lartë amerikanë.
Gjatë një vizite zyrtare në Xhamajkë, Rubio u pyet nga gazetarët për këtë rast dhe theksoi se “është e qartë se dikush ka bërë një gabim të madh” duke shtuar një gazetar në bisedë. Ai theksoi se ky ishte një veprim i gabuar dhe se gazetarët nuk duhej të ishin pjesë e kësaj bisedë.
Në përpjekje për të minimizuar rolin e tij, Rubio u shpreh se ai kishte marrë pjesë në bisedën në fjalë vetëm për të dërguar një mesazh urimi pas përfundimit të sulmeve. Ai theksoi se nuk kishte asnjë qëllim për të shpërndarë informacion të klasifikuar dhe se nuk ishte pjesëmarrës në diskutime që mund të dëmtonin sigurinë kombëtare.
Në të njëjtën kohë, Rubio mbrojti shkëmbimin e informacionit përmes aplikacionit Signal, duke argumentuar se informacioni i shkëmbyer nuk kishte për qëllim publikimin dhe se asnjë nga këto të dhëna nuk vënë në rrezik jetën e personelit ushtarak amerikan.
Ai përmendi gjithashtu se Pentagoni kishte dhënë garanci se informacioni në fjalë nuk do të ndikonte në sigurinë e operacioneve dhe personelit të SHBA-së.

