Politike
Sekuestrimi i 1 ton drogë, reagon ministri i brendshëm
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas njoftimit të policisë për goditjen e një rasti të trafikut të drogës në drejtim të Italisë, ku në afërsi të Karaburunit u sekuestruan 992 kg kanabis dhe u arrestuan 3 skafistë nga Vlora dhe 2 shtetas ukrainas.
“Operacioni i sotëm ndërkombëtar në Vlorë mes Policisë së Shtetit dhe Guardia Di Finanza për goditjen e një grupi të trafikut të drogës me mjete lundruese dhe sekuestrimin e një rreth 1 ton marijuanë, është një tjetër dëshmi domethënëse e profesionalizmit dhe forcës goditëse pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar”, shprehet Çuçi.
Në vijim, ministri përgëzon të gjithë efektivët që u bënë pjesë e operacionit, duke theksuar se kjo luftë do të vazhdojë.
“Përgëzime të gjithë oficerëve shqiptarë e italianë që morën pjesë në këtë operacion të mirëkoordinuar nga ajri, deti dhe toka. Qëndrojmë frontalisht të vendosur për të vijuar luftën e vazhdueshme me të keqen, me bindjen se vetëm në këtë mënyrë krijojmë siguri për shoqërinë dhe garantojmë të ardhmen tonë”, shprehet ai.