Connect with us

Kronike

Sekuestrohen 4 mina me telekomandë në Vlorë

VLORË- 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), janë sekuestruar nga policia e Vlorës. Në pranga ka rënë Petrit Ndoji, 51-vjeç, banues në Lezhës, të cilit ju gjetën 4 minat në kroskotin e makinës tip ‘Ford Fiesta’ me të cilën po udhëtonte në rrugën ‘Gjergj Kastrioti’. Policia ka dyshimet se minat do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Këto mina u sekuestruan në kuadër të operacionit “Knock Out 3”.

Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.

Në vijim të punës intensive të Policisë, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë vendin, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, finalizuan operacionin e koduar “Knock Out 3”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

P. N., 51 vjeç, banues në Lezhë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ndaluan automjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e shtetasit P. N.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.

Advertisement