Rajon
Senatorët nga SHBA për Kosovën dhe zgjedhjet në Serbi: S’ishin as të lira dhe as të drejta
Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Ricketts, u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante në Serbi që urgjentisht të shqyrtojnë nëse zgjedhjet e jashtëzakonshme parlametare, lokale dhe krahinore të mbajtura të dielën e 17 dhjetorit, duhet të përsëriten në rajone të caktuara, në mënyrë që të sigurohet se rezultatet pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
Shaheen dhe Ricketts, anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), nëpërmjet një deklarate të përbashkët për “Zërin e Amerikës” kanë thënë se zgjedhjet në Serbi nuk kanë qenë as të lira e as të drejta, teksa kanë shprehur shqetësimin për numrin e madh të parregullësive të raportuara.
Serbia ka përfunduar edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa shumë të tjerë kanë bërë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara, veçanërisht mbi votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të rajonit.
Shqetësimet janë ngritur posaçërisht për manipulimin dhe vjedhen e votave në kryeqytetin serb. Dyshimeve për vjedhjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) u kanë bërë jehonë edhe partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”. Ata kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, përfshirë ryshfet dhe korrupsion.