Rajon
Serbia braktiset nga miqtë e vjetër në Bruksel/ Votojnë për ta hetuar
Kur është fjala për qëndrimin e deputetëve të Parlamentit Evropian ndaj zgjedhjeve në Serbi, dallohen qartë dy rryma. E para – Ajo rreth Partisë Popullore Evropiane, e cila prej vitesh mbështet ose më saktë minimizon kritikat ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiçit, ku mbështetësi kryesor i së cilës është raportuesi i PE për Serbinë, Vladimir Bilçik. E dyta – Grupi i të gjelbërve, liberalëve dhe socialistëve, kritikat e të cilëve ndaj autoriteteve në Serbi janë shpesh shumë të ashpra. Në grupin e këtyre eurodeputetëve janë edhe raportuesja e PE për Kosovën Viola von Kramon, përfaqësuesi i liberalëve në Parlamentin Europian, Klemen Grošelj si dhe kreu i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në Parlamentin Evropian, Andreas Schider.
Parregullsitë në zgjedhjet në Serbi theksuan dallimet e thella mes këtyre dy grupeve të eurodeputetëve.
Duke komentuar ekzistencën e këtyre dy rrymave të eurodeputetëve, Nikola Burazer, gazetar dhe analist politik, tha se në Parlamentin Evropian ka grupe të ndryshme dhe se këto grupe kanë partitë e tyre simotra në Serbi, nga qeveria dhe opozita, mes te cilave dallimet po mjegullohen gjithnje e me shumë.
“Në këtë kuptim, prej vitesh shihet se grupet e të gjelbërve, liberalëve dhe socialistëve mbështesin, ose ndihmojnë në njëfarë mënyre opozitën. Nga ana tjetër, grupi i Partive Popullore, anëtare e së cilës është edhe partia e Vucic, ruan nga erërat shpinën e progresistëve në Serbi dhe përpiqet, nëse jo për ta lavdëruar dhe ndihmuar, të paktën për të zbutur kritikat drejt saj që vijnë nga grupet e tjera” – theksoi Burazer. Megjithatë, sipas tij, ky polarizim po bëhet gjithnjë e më i paqartë.
“Ka gjithnjë e më shumë zëra nga grupi I Partive Popullore Europiane që janë kritikë ndaj SNS së Vucic. Nuk ka më lëvdata të forta, por shpesh e më shpesh ka zëra mesatarisht kritik.
Edhe pse mund të përpiqen të zbusin kritikat, ata nuk mohojnë se në Serbi ka probleme dhe se duhet bërë diçka për këtë. Sido që të jetë, polarizimi tani është më pak i theksuar se më parë” – potencoi analisti i njohur politik, ndersa tregoi në mbështetje të kësaj, se PPE votoi me shumicë të madhe për të patur debat për zgjedhjet në Serbi në Parlamentin Evropian, pavarësisht kundërshtimit të raportuesit për Serbinë në PE, Vladimir Bilçik.