Kosova
Serbia e alarmuar, zbërthehet opinioni i Bakoyannis për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE
Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Biljana Pantić-Pilja, ka thënë se Komiteti Politik i Këshillit të Evropës ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm më 27 mars. Aty në rend dite është votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit.
Kalimi i tokës në pronësi të Manastirit ka qenë një prej kushteve që i është kërkuar Kosovë nga vendet e QUINT-i, por atë e ka kërkuar edhe raportuesja Dora Bakoyannis e ngarkuar nga Këshilli i Evropës për rastin aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Biljana Pantić-Pilja ka shtuar se Bakoyannis ka pasur tri kërkesa për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa dje u bë me dije se Kosova ka arritur të përmbushë vetëm njërën – kthimin e tokës Manastirit të Deçanit.
“Tani po paragjykoj, dhe supozoj, se Dora Bakoyannis dëshiron t’i raportojë Komitetit se ka një ndryshim në sjelljen e Kosovës, dhe se një nga kushtet është përmbushur. A do ta shkelë ajo tani fjalën e saj dhe do t’u thotë anëtarëve të Komitetit se kaq mjafton, dhe se nuk duhen plotësuar kushtet e tjera? Nuk dua të paragjykoj, por me caktimin e një takimi të jashtëzakonshëm, edhe pse e kemi një mbledhje në Strasburg më 15 prill, ku mund të na njoftojnë për këtë, sinqerisht, nuk kjo lëvizje më jep besim” – ka theksuar Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Pantic- Pylja.
Nëse opinioni i raportueses Bakoyannis kalon në Komitet, atëherë dosja e Kosovës pritet të hidhet për votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropës, aty ku Kosovës i duhen 2/3 e votave që çështja e anëtarësimit të saj të trajtohet nga Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të cilët do thonë fjalën përfundimtare – do të hyjë Kosova në këtë organizatë si anëtare me të drejta të plota.