Connect with us

Rajon

Serbia kërkon falje për Banjskën/ Ambasadori në NATO për sulmin terrorist

Shefi i Misionit të Serbisë në NATO, Branimir Filipoviç, ka shprehur keqardhje për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa ka potencuar se këto ngjarje nuk duhet të ndodhinë kurrë.

Megjithatë, sipas Filipoviç, në këtë fazë siç pretendon ai është shumë e rëndësishme që të parandalohen veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës, që një ngjarje e tillë të mos ndodhë.

Ai ka pranuar se situata në Kosovë është shumë e brishtë dhe se Serbia është shumë e shqetësuar duke pasur parasysh atë që po ndodh në Kosovë.

“I referohem veprimeve të njëanshme të Kosovës dhe mos-përmbushjes së obligimeve të saj të marra nga Marrëveshja e Brukselit. Ne e shohim këtë si një potencial shumë serioz për tension dhe jostabilitet” – është shprehur ai në një intervistë për Demostat.

Filipoviç gjithashtu ka pretenduar se Qeveria e Kosovës me provokime e veprime po tenton të përkeqësojë marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it.

“Me përpjekje të përbashkëta po mundohemi që situatën ta bëjmë stabile dhe presim që KFOR-i të mbrojë serbët në Kosovë” – theksoi ambasadori

Kujtojmë se një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit 2023, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Advertisement