Connect with us

Kosova

Serbia konsolidon raportin me SHBA dhe thith investime, Kosova sanksionohet ekonomikisht e politikisht

Heqja e barrës së problemit me Serbinë përmes një marrëveshje finale me njohje reciproke është çelësi i vetëm që i hap rrugë Kosovës për të synuar marrjen e njohjeve nga pesë shtetet e BE-së, forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimit drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe ndryshimi për 180 gradë i politikës amerikane, tregojnë qartazi që maratona e gjatë e negocimit me Serbinë dhe mungesa e një marrëveshje përfundimtare me Beogradin zyrtar është dëm vetëm për Kosovën.

Ish-kryeministri i Kosovës, akademiku Isa Mustafa, duke folur për përmbylljen e negociatave me Serbinë, tha se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes finale. Ai u shpreh se ajo duhet të rikthehet si kusht në tryezën e negociatave, meqë në marrëveshjen Kurti-Vuçiq të vitit 2023 është zhvendosur nga negociatat pa afat.

Duke folur për dëmet që po i bëhen Kosovës nga mungesa dhe zgjatja e  një marrëveshjeje me Serbinë, Mustafa përmendi edhe një Rezolutë të OKB-së të viti 2010, që sipas tij i imponon Kosovës të mosveprojë drejt gjetjes së një zgjidhjeje me fqinjin verior.

Dëmi i parë që vjen nga kjo, sipas ish-kreut të LDK-së, është shndërrimi i qeverive në joefikase, meqë në vend se të merren me problemet e qytetarëve, fokusi dhe angazhimi i tyre duhet të jetë në negociata.

Ndërsa dëmi i dytë, sipas tij është dobësimi i pozicionit të Kosovës, ndërkohë që Serbia po e konsolidon raportin me SHBA-në dhe vendet evropiane. Mustafa shtoi gjithashtu se Serbia po thith investime, ndërkohë Kosova po sanksionohet ekonomikisht e politikisht.

Ish-kryeministri kosovar deklaroi se kjo tregon edhe atë se pse Serbia është e mos interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje finale me Kosovën. Ai tha se Serbia dëshiron që Kosova heshturazi të kthehet në një vend me status të papërfunduar, gjë që sipas Mustafes përbën rrezik kolosal për Kosovën.

Mustafa sugjeroi që Kosova të implementojë Marrëveshjen e vitit 2013 të ratifikuar në Kuvend dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe jo marrëveshjen që kryeministri Albin Kurti ka arritur në vitin 2023 meqë thotë se kjo e fundit cenon shtetin e Kosovës

Advertisement