Rajon
Serbia me Vuçiç, zero shanse për BE/ Reagimi i eurodeputetit gjerman
Reinhard Bütikofer, ka reaguar ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic i cili në një intervistë tha se Tajvani është Kinë.
Eurodeputeti gjerman, ka deklaruar se Vuçic luan rolin e tij të preferuar si person ndaj regjimeve diktatoriale.
“Me vendosjen e tij në pozicione të tilla, unë mund të parashikoj në më pak se pesë sekonda se cilat janë shanset e Vucic për ta futur Serbinë në Bashkimin Europian. Zero” – ka shkruar ai në platformën ‘X’.
Deputeti nga radhët e “Të Gjelbërve” në Parlamentin Evropian, Reinhard Butikofer, gjithashtu teksa ka trajtuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka konsideruar se politika aktuale e BE-së ndaj Ballkanin Perëndimor karakterizohet nga njëanshmëria.
Në një shkrim autorial të publikuar, eurodeputeti gjerman ka thënë se në vend që BE-ja të bëjë përpjekje për të zbutur presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe udhëheqësin secesionist të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, ajo duhet të reagojë dhe të ndal provokimet serbe kundër Kosovës.
Ai ka theksuar se përkundër sulmit brutal të protestuesve serbë në pjesën veriore të Kosovës ndaj pjesëtarëve të Forcës së NATO-s, rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga Serbia përgjatë vijës kufitare dhe mbështetjes së autoriteteve serbe për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit, insitucionet evropiane kanë sanksionuar Kosovën.
“Këto janë vetëm disa nga shkeljet më të rënda. Por BE-ja deri më tani nuk ka qenë e gatshme të tregojë ashpërsi ndaj Vuçiçit dhe miqve të tij të krimit të organizuar. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu” – ka shkruar eurodeputeti gjerman, dhe ka bërë thirrje për ndryshimin e qasjes së BE-së kundrejt krizës aktuale midis dy fqinjëve armiqësorë.
“Serbisë duhet t’i jepet një ultimatum, të zgjedh: Brukseli apo Moska. Opsioni i parë është i mirëpritur, por jo më kapërcime herë nga njëra anë, herë nga tjetra. Për të pesë vendet e tjera, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegoviba, qëllimi duhet të jetë që të parashikohet qartë një datë pranimi në vitin 2030” – theksoi Reinhard Butikofer