Rajon
Serbia, mes kudhrës e çekanit/ Vuçiç: Kosova është fëmija i Perëndimit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se nuk është “shumë optimist” përpara takimit të sotëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Ohër, por gjithashtu edhe theksoi se Serbia është “gjithmonë e gatshme të bisedojë për zgjidhje kompromisi”.
Vuçiç tha se ai nuk po udhëton në raundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga BE me kurrëfarë mesazhi dhe se gjithçka që kishte për të thënë, ua tha tashmë të dërguarve të BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tyre të fundit në Beograd.
“Sot do t’jua them edhe Borrellit edhe Kurtit dhe kaq”, tha presidenti serb duke përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet në përputhje me katër dokumentet e nënshkruara në Bruksel.
“Përmbajtja e atyre dokumenteve duhet të plotësohet dhe unë nuk jam i interesuar veçanërisht për fantazmagoritë e tyre për modelet daneze dhe suedeze. Nëse kërkoni arsyen e mjaftueshme për të fajësuar Serbinë, gjithmonë do ta gjeni, nuk keni nevojë të shpikni modele të reja për këtë” – u shpreh presidenti serb.
Vucic gjithashtu vlerësoi se Serbia është mes presionit të paparë
“Kosova është fëmija i tyre. Kjo është arsyeja pse ne jemi gjithmonë në një pozitë më të vështirë. Jemi mes kudhrës dhe çekanit, por jemi dhe të zgjuar e të mençur” – u shpreh Vucic