Rajon
Serbia në prag të konfliktit civil/ Vuçiçit i kërkohet mos-zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën
Lëvizja për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS) ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe presidenti serb, Alekandër Vuçiç, që të pezullojnë zbatimin e marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kjo lëvizje me elemente fashiste ka vlerësuar se kërkesa e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit është e pavend dhe joreale, dhe ka shtuar se implementimi i tyre duhet të shtyhet deri në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi.
“Në zgjedhjet e ardhshme, populli do t’u japë besimin ose partive që janë pro zbatimit të marrëveshjeve dhe njohjes faktike të të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës ose atyre që janë kundër” – ka thënë kryetari i POKS-it, Vojislav Mihailoviç, ndërsa ka shtuar se veç një qeveri e re do të ketë legjitimitetin të marrë vendime.
Sipas tij, nëse Qeveria e Serbisë nis zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut “para zgjedhjeve dhe pa pëlqimin e popullit”, atëherë Serbia do jetë “në prag të konfliktit civil dhe në krizën më të rëndë të brendshme shtetërore e politike që nga Lufta e Dytë Botërore”.