Rajon
Serbia njeh Kosovën
Presidenti serb, ditë më parë raportoi në Parlamentin e Serbisë, për planin franko-gjerman dhe bisedimet me Kosovën. Aleksandar Vuçiç, në përfundim të seancës së të enjtes tha se Serbinë e presin ditë shumë të vështira.
“Duhet të flasim, të kërkojmë zgjidhje, të gëlltisim, të heshtim, pa rrezikuar interesat jetike, por të jemi të hapur për kompromis” – deklaroi kreu i shtetit serb.
Por, në një komunikatë të cilën Qeveria e Serbisë e ka publikuar në uebfaqen zyrtare, Kosovës i referohet si ‘Republika Kosovës’, gjë e cila nuk ka ndodhur më herët nga zyrtarët serbë, apo nga vetë Qeveria.
“Këmbëngulja në formimin e Asociacionit, i cili duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin e tyre në Republikën e Kosovës, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk duhet ta pengojë”, thuhet në komunikatë.
Ndaj kësaj ka reaguar edhe ish-kryediplomati serb, Vuk Jeremiç.
“Ata janë ose tradhtarë ose injorantë. Ose të dyja bashkë”, shkroi ai në Twitter.
Pas këtij reagimi, komunikata në faqen e Qeverisë së Serbisë është ndryshuar.
Megjithatë, kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, konsideron se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të ndodhë brenda këtij viti.
Analisti serb u shpreh se në thelb presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e ka pranuar njohjen, duke iu referuar kapitullit 4 të bisedimeve në procesin për anëtarësim në BE.
Sipas tij, me këtë veprim, Serbia mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në 10 vitet e ardhshme.
“Vuçiç nuk do ta trajtojë më Kosovën duke thënë ‘Kosova dhe Metohia’, apo e ‘ashtuquajtura Republika e Kosovës’, por do të përdorë termin, Republika e Kosovës”, tha Janjiç