Kosova
Serbia nuk po e sfidon territorin e Kosovës/ Rrëfehet ish ambasadori Christopher Hill

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, duke kujtuar se me heret pati deklaruar se Qeveria e Kosovës mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mungesën e përparimit në dialogun me Serbine, e teksa u pyet se për cilat veprime ose vendime specifike e ka fjalën, tha se është mjaft zhgënjyese që nuk arrijmë të kuptojmë apo nuk arrijmë në pikën ku biem dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, teksa ai po bllokohet me çështje që janë më shumë propagandistike sesa reale.
“Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre. Modele të tilla ka në gjithë botën, sidomos në Evropë. Dhe, që kur kryeministri i dikurshem i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nënshkruar atë, ajo është dashur të zbatohet” – deklaroi Hill duke shtuar se “Serbia nuk po e sfidon territorin e Kosovës”.
“Në fakt, të gjithë njerëzit në Ballkan flasin për territor, flasin për tokë. Por, problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka – janë njerëzit. Është çështje e thjeshtë: A duan njerëzit në Ballkan të qëndrojnë aty, apo duan të largohen diku tjetër? Deri më tani, vazhdon të ketë valë emigrimi. Nuk është çështje toke – tokë ka mjaft. Problemi është nëse njerëzit duan të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Ballkan” – deklaroi ish ambasadori amerikan.

