Shkrime
Serbia pa sanksione, cikli i dhunës i sigurt/ Fotografia e zymtë
Gjasat që Bashkimi Evropian t’i vendosë sanksione Serbisë, konsiderohen pothuajse minimale për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së, derisa njohësit e çështjeve politike shprehin paralelisht frikën se cikli i dhunës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë mund të kthehet sërish, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe bllokimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Eksperti i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit Toby Vogel, nthotë se kërkesa e Kosovës që njëherë t’i vendosen sanksione Serbisë e tek pastaj të procedohet tutje me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së, në këtë moment është jorealiste, për shkak se kërkohet unanimitet në mesin e 27 shteteve anëtare. Vogel kujton se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Serbisë, dhe përmendi faktin se kryeministri hungarez Viktor Orban mbështet hapur presidentin serb Alesandër Vuçiç dhe, rrjedhimisht, refuzon të pajtohet për vendosjen e sanksioneve, ndonëse një pjesë e tyre tashmë janë skicuar dhe priten veprimet e radhës nga eurokratët në Bruksel. Por Hungaria nuk është problemi i vetëm, shton Vogel. Ai beson se ka edhe disa vende të tjera anëtare brenda unionit që mund t’i kundërshtojnë sanksionet ndaj shtetit serb, duke përfshirë Kroacinë dhe Sllovakinë. Megjithatë, ai tha se ka edhe hapa të tjerë që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell mund t’i ndërmarrë – sigurisht, nëse ekziston vullneti politik. “Llogaritjet ndryshojnë nëse ka prova të pakundërshtueshme të përfshirjes së qeverisë serbe në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë. BE-ja thotë se nuk ka prova të tilla deri më tani – një pretendim që i bën sanksionet të pamundshme. Gjithsesi, ajo që Borrelli mund të bëj është e njëjtë me atë që bëri me Kosovën, ku në fakt nuk u konsultua me të gjitha shtetet anëtare dhe prapë doli dhe tha se 27 shtete mbështesin sanksionet kundër Kosovës” –theksoi Toby Vogel, Ai tha se përfaqësuesve evropianë iu duhet Vuçiçi për të mos e bllokuar dialogun dhe argumentoi se vetëm ideja e vijimësisë së procesit të dialogut pa rezultate është bërë qëllim në vetvete për diplomatët në Bruksel, teksa shtoi se presidenti serb e ka shfrytëzuar jashtëzakonisht mirë këtë kartë. Vogel gjithashtu nuk mendon se momentalisht ekziston vullnet as nga ana e kryeministrit Albin Kurti e as nga pala serbe për të ndërmarrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe u shpreh se kryeministri Kurti nuk e trajton dialogun me prioritet të lartë, sepse sipas tij, sidoqoftë Kosova është e bllokuar dhe nuk ka shanse të njihet nga të paktën tre nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro. “Kam frikë se fotografia është shumë e zymtë. Mendoj se dhuna e mëtejshme nuk është vetëm e mundur, por ndoshta e sigurt. Ajo që ndodhi në Banjskë është jashtëzakonisht e turbullt. Për sa kohë që këto gjëra mbeten të errëta, mendoj se është shumë e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë, por nuk shoh ndonjë gjë pozitive të vijë pas zhvillimeve të fundit” – deklaroi Vogel.