Connect with us

Rajon

‘Serbia po kthehet në fuqi ballkanike’/ Burimi: Po armatoset dhe po tregon forcën…

Analisti Genc Burimi tha se Serbia ka ndryshuar legjislacionin duke i hapur rrugën armatimit të shpejtë ushtarak.

Burimi komentoi marrëveshjet mes Francës dhe Serbisë në këtë fushë, duke theksuar se për vendin e drejtuar nga Emanuel Macron qëllimi i vetëm është ai ekonomik.

“Serbia do Kosovën, e ka edhe në Kushtetutë. Ndaj investon në ushtri, është një vend ekspansionist. Franca sot investon në Serbi, e ka vetëm në aspektin ekonomik. Sot Serbia po bëhet një fuqi ballkanike, ka blerë avionë francezë. Janë rreth 2 mld euro shkëmbimet ekonomike mes Serbisë dhe Francës, në Serbi ka mbi 50 kompani të huaja për shkak të zonave të lira”, tha Burimi per News24.

Sipas tij, as Franca dhe as SHBA nuk ka fuqi sot ti kërkojë Serbisë të njohë Kosovën.

“Ky është një fakt, është një raport force, e keni vënë re se nuk ka asnjë fuqi Perëndimore që ti kërkojë Serbisë që të njohë Kosovën”, tha Burimi.

Ai tha se Serbia do të presë, ashtu sikundër Kina pret për të marrë forcërisht Tajvanin. Burimi tha se Serbia ka marrë 12 avionë që secili prej tyre kushton 250 mln euro. Burimi tha se Serbia ka hapur 23 kapituj lidhur me anëtarësimin në BE, ndërsa Shqipëria nuk ka hapur asnjë.

Në këtë kuadër ai e konsideroi si pa asnjë bazë deklarimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE në vitin 2030.

“Shqipëria e humbi trenin e integrimit kur Europa drejtohej nga demokratët, ndërsa sot kemi ekstremin e djathtë që mbizotëron në Europë”, tha Burimi.

Advertisement