Kosova
Serbia po largohet nga Rusia/ Po rrëshqet në rrugën e integrimit evropian

Nevoja për vendosjen e shtetit ligjor, shkalla e demokracisë, “normalizimi” i marrëdhënieve me Kosovën, sipas interpretimit të opozitës dhe një pjese të madhe të opinionit kritik në Serbi, ra në hijen e marrëveshjes që Bashkimi Europian, veçanërisht Gjermania, nënshkruan me regjimin e Aleksander Vucicit, në lidhje me minierat e litiumit.
Sipas shumë analistëve, kjo lëvizje do “çlirojë” regjimin nga presioni rus dhe do të bëjë që Serbia të bëj një kthesë të fortë drejt BE-së, si dhe nëse do të ketë një efekt “pozitiv” në integrimin evropian të vendit
Me marrëveshjen e minierave të litiumit, a po largohet Serbia nga Rusia, dhe po “rrëshqet” në rrugën e integrimit evropian?
Në rrethana shumë të trazuara ndërkombëtare, është e vështirë të flitet me siguri për agjendën reale të Serbisë, pra të presidentit Vuçic. Fakti është se nënshkrimi i Memorandumit për lëndët e para të qëndrueshme forcon objektivisht pozitën e presidentit serb.
Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, tha se “Rusia sigurisht që po ndjek çdo lëvizje të presidentit Vuçiç dhe vazhdimisht po dërgon mesazhe. E fundit në seri ishte nga senatori rus Klimov, i cili la të kuptohet për shpërbërjen e afërt të Bashkimit Europian dhe se dera e BRICS është e hapur për Serbinë”
Në të njëjtën kohë, sqaroi ajo më tej, BE-ja dhe veçanërisht NATO janë shumë aktive në Ballkanin Perëndimor dhe e kundërshtojnë projektin PanSerb në të gjitha frontet. NATO po forcon praninë e saj në rajon, baza më e madhe e NATO-s po ndërtohet në Rumani dhe një e re po ngre shtat në Shqipëri.
“Presidenti Vuçiç ka ende hapësirë për të luajtur me ‘balancimin’, por kjo hapësirë po zvogëlohet dhe së shpejti rrethanat do ta shtyjnë atë gjithnjë e më shumë drejt Perëndimit. Heqja dorë nga bota serbe sigurisht që do të ishte një parakusht për ndërtimin e besimit dhe afirmimin e Serbisë si një aktor i rëndësishëm që do të kontribuonte në qetësimin dhe stabilizimin e rajonit” – theksoi Sonja Biserko.

