Connect with us

Shkrime

Serbia pranon Kosovën në OKB, por ka një kusht…

“Përkundër termave dhe retorikës së ndryshme të diplomatëve të huaj, të cilat shkaktojnë konfuzion, të gjitha përfundojnë në të njëjtën gjë, Beogradit nuk do t’i kërkohet të thotë zyrtarisht se Kosova është shtet i pavarur, por do të jetë e nevojshme që si Beogradi ashtu edhe Prishtina të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve” – keshtu tha Marija Stojanovic, per median serbe Danas, në lidhje me deklaratat në dukje kontradiktore të bëra nga diplomatët në Serbi dhe Kosovë këto ditë se si do të përfundojë dialogu në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Së pari, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kërkoi sërish nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë obligimet nga procesi i dialogut, duke theksuar se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe duke theksuar se asgjë më pak se kaq nuk përmbush vizionin që ekziston për një Evropë të plotë, të lirë, të begatë dhe paqësore.

Më pas ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se mendon se Serbisë nuk do t’i kërkohet të njohë de jure pavarësinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, por se evropianët “po kërkojnë pikërisht atë që duan te thonë se po kërkojnë – dhe ky është normalizimi”.

“Mendoj se e ata kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin”, tha ambasadori Hill

Dhe më pas për këtë është pyetur edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se qëndrimi i Brukselit për këtë çështje nuk ka ndryshuar , por “ka mbetur i njëjtë siç është përcjellë disa herë në të kaluarën dhe siç thuhet në kriteret e anëtarësimit”.

Departamenti i Shtetit bëri të ditur se qëndrimi zyrtar i Uashingtonit lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar dhe se qëllimi afatgjatë i politikës amerikane është që në këtë proces të arrihet njohja reciproke.

Ka reaguar gjithashtu edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode , i cili në rrjetin social X ka shkruar se kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë vizitave të tij në Kosovë dhe Serbi ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton njohje reciproke.

Marija Stojanovic theksoi se nuk ka tone disonante, sepse thelbi është në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, pra të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit , të cilat BE-ja i ka caktuar si ligjërisht të detyrueshme.

“Gjermania është më e mprehtë, ambasadori Hill më taktik, por të gjithë kërkojnë të njëjtën gjë: – Kjo do të thotë, ndër të tjera, se Prishtina duhet të formojë asociacionin, sepse në të kundërtën nuk do të mund të llogarisë në fondet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe në asnjë përparim në integrimet evropiane. Ndërsa Beogradi duhet të ndalojë së lobuari kundër pranimit të Prishtinës në organizatat ndërkombëtare” – beson Stojanoviç duke shtuar se nëse edhe Beogradi edhe Prishtina zbatojnë gjithçka që është shënuar në marrëveshje, nuk do të ketë nevojë për njohje “de jure”, siç nuk ka pasur as në rastin e modelit të dy Gjermanive………..

Pra, sado Vuçic të pretendoje se nuk ka nënshkruar asgjë, deklarata e fundit e Peter Stano tregon se Serbia është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve. Mendoj se në muajt e ardhshëm, Perëndimi do t’i bëjë “presion” Prishtinës që të formojë asociacionin dhe Beogradit të heqë dorë nga lobimi kundër Prishtinës në organizatat ndërkombëtare. Pra, Gjermania do ta interpretojë atë si “njohje reciproke”. Asgjë e re nuk do duhet të nënshkruhet, por çelësi është zbatimi i plotë i asaj që është arritur deri më tani. Dhe Gjermania ka përdorur gjithmonë një fjalor më të ashpër në krahasim me SHBA-në, ndërsa Hill, do të thosha, është më taktik. Ai përdor një gjuhë më të butë, por kjo nuk do të thotë se Amerika është më e butë, pra se do të tolerojë moszbatimin e marrëveshjes. Të gjithë po kërkojnë të njëjtën gjë” –potencoi Stojanovic duke kujtuar se Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore nuk e njohën kurrë njëra-tjetrën zyrtarisht, por në fakt e njohën, sepse të dyja u bënë anëtarë të OKB-së.

“Pra, nëse Serbia do të pranonte që Kosova të bëhej pjesë e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe Kosova të formonte asociacionin, kjo në praktikë do të ishte njohje reciproke” – deklaroi analistja serbe

 

 

Advertisement