Kosova
‘Serbia preku vijat e kuqe të NATO-s, Kurti s’ka nga tja mbajë’
Kërkesat e zyrtarëve perëndimorë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duhet të pranohen nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rast se nuk duan përshkallëzime të mëtejme.
Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se përplasja e protestuesve serbë me pjesëtarët e KFOR-it, më 29 maj, ka prekur linjat e kuqe të NATO-s, por edhe të vendeve perëndimore në përgjithësi.
Për një gjë të tillë, sipas tij, Beogradi zyrtar por edhe Prishtina zyrtare janë të vetëdijshëm. Prandaj, kërkesat e BE-së dhe SHBA-së, thotë Janjiq, nuk do të mund të refuzohen më nga palët.
“Pra, nuk shoh që Beogradi do të mund dhe nuk do të dëshirojë ta kundërshtojë NATO-n. Por, para së gjithash, për arsye politike, nuk mendoj që Kurti do të vazhdojë kundërshtimin e tij” – tha Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Për momentin, sipas tij, maksimumi i asaj që mund të arrihet, është ulja në minimum e rrezikut për konflikt të armatosur, e sidomos sulmeve ndaj KFOR-it. Qetësimi i situatës në veri dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës, sipas tij, janë rruga që i rikthen palët në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.