Connect with us

Rajon

Serbia shtron tapetin e kuq, autokratët gati për presidentin kinez

“Presidenti kinez Xi Jinping do të kalojë pjesën më të madhe të turneut të tij pesë-ditor në Evropë këtë javë në dy vende të vogla në pjesën lindore të kontinentit, në një rajon që Pekini e ka përdorur si bazë për ambiciet e tij për zgjerim ekonomik në Evropë”- kështu shkruan associated Press në një artikull për vizitën e presidentit kinez në Serbi dhe Hungari.

“Pas Parisit, Xi do të udhëtojë në Hungari dhe Serbi, dy vende me liderë autokratë që konsiderohen miqësorë me Kinën dhe afër presidentit rus Vladimir Putin”- shkruan agjencia.

Ndërsa liderët konvencionalë evropianë kanë ndjekur më shumë politika proteksioniste për të kufizuar hyrjen e Pekinit dhe Moskës në kontinent, qeveritë e liderëve konservatorë nacionalistë Viktor Orbán i Hungarisë dhe Aleksandër Vuçiç i Serbisë kanë zhvilluar fuqishëm lidhjet ekonomike me Kinën, duke ofruar investime të mëdha në infrastrukturë, prodhim energjie dhe teknologji.

Si vendi i parë i BE-së që merr pjesë në Iniciativën e Xi-t “Një brez dhe një rrugë”, Hungaria zë një pozicion të ndërmjetëm midis anëtarësimit në Bashkimin dhe NATO-s dhe është jashtëzakonisht e hapur diplomatikisht dhe komercialisht ndaj autokracive lindore.

Tamas Matura, një ekspert i Kinës dhe profesor i asociuar në Universitetin Corvinus në Budapest, tha se Hungaria është shtëpia e investimeve të mëdha kineze dhe se gatishmëria e saj për të bërë biznes me vende me performancë më pak se yjore për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ka hapur një derë të rëndësishme për Kinën brenda bllokut tregtar të BE-së.

Në Serbi, në jug të Hungarisë, Kina ka miniera dhe fabrika në të gjithë vendin dhe ka financuar rrugë, ura dhe ndërtesa të reja me hua shumë miliardëshe për infrastrukturën.

Hungaria dhe Serbia, kujton agjencia amerikane e lajmeve, kanë një marrëveshje me Pekinin për modernizimin e hekurudhës mes kryeqyteteve, Budapestit dhe Beogradit, si pjesë e planit Belt and Road, për t’u lidhur me portin e Pireut në Greqi, i cili është nën kontrollin kinez dhe është një pikë hyrëse për mallrat kineze në rrugën e tyre drejt Evropës Qendrore dhe Lindore.

AP citon presidentin serb Aleksandar Vuçiç të ketë thënë se është i “nderuar” që Xi, të cilin ai e përshkruan si “mik”, do të vizitojë Serbinë e cila do të kërkojë investime shtesë kineze, veçanërisht në teknologjitë e avancuara.

Investime të tilla vijnë në një kohë kur ekonomitë e ngadalta të Serbisë dhe Hungarisë po përballen me vështirësi shtesë për shkak të inflacionit rekord dhe ngrirjes së fondeve shumë miliarda euro të BE-së, në këtë rast Hungarisë, për shkak të dështimit të Orbanit për të përmbushur standardet demokratike dhe mosrespektimin e shtetit të së drejtës, sipas Unionit.

Advertisement