Shkrime
Serbia vë në lojë Bashkimin Europian me ‘Platformën e Kievit’
Nga Shaban Murati
BE është bërë si dashnorët platonikë, që rrinë në rrugë e bëjnë serenata në dritaren e Serbisë dhe gëzohen nëse nëse ajo i’u lëviz perden në shenjë dashurie, teksa janë në shtrat ka Kremlinin.
Tallja e fundit e llojit të perdes me platonikët e BE-së u bë në 23 gusht, kur Serbia me një lëvizje mashtuese për t’i hedhur hi syve europianëve, ngarkoi kryeministren Ana Bernabiç të shtirej sikur merrte pjesë nëpërmjet audio dhe videkonferencës në samitin e “Platformës së Kievit”, që është nismë diplomatike e presidentit ukrainas Zelenski me qëllimin e krijimit të një mbështetje qeveritare ndërkombëtare për rikthimin Krimesë së pushtuar nga Rusia.
Bllofi diplomatik serb e entusiazmoi diplomacinë e BE, që nxitoi ta shpërndajë në rrjetet diplomatike ndërkombëtare sihariqin e madh që Serbia u bashkua me “Platformën e Kievit”, duke treguar se kjo u arrit prej diplomacisë europiane, të lëshimeve të njëpasnjëshme ndaj Serbisë që të largohet nga Rusia.
Pre e kësaj përshtypje të rreme ra edhe agjencia prestigjioze britanike “Rojter”, e cila njoftonte në 23 gusht në rrjetin ndërkombëtar të saj se “Serbia iu bashkua një platforme të udhëhequr nga Ukraina për riintegrimin e Krimesë, duke sinjalizuar një largim nga Rusia, një aleat historik dhe furnizuesi i saj i vetëm i gazit natyror”.
Por entusiazmi i dashurisë platonike të diplomacisë së BE ndaj gjestit të ri dashuror të Serbisë nuk vazhdoi gjatë, sepse Moska urdhëroi Serbinë t’i hidhte një kovë me ujë të ftohtë të dashuruarve europianë të saj.
Në datën 24 gusht ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Botsan-Harçenko, shkoi dhe takoi vetëm për vetëm zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
Pas, Ivica Daçiç, vrapoi qysh të nesërmen në mëngjes në 25 gusht të dilte në televizion dhe të përgënjeshtronte zyrtarisht dhe publikisht përshtypjen e rreme se Serbia është bashkuar me “Platformën e Kievit”.
Rusisë nuk i bëri përshtypje fare demagogjia e shfaqjes së ekranosur të kryeministres serbe me videokonferencë në samitin e “Platformës së Kievit” dhe fjala e saj. Kremlini e dinte se Serbia po bënte një gjest mashtrues ndaj Ukrainës dhe BE. Ajo, që e mërziti Rusinë, ishte entusiazmi, që kaploi platonikët e BE nga iluzioni optik se Serbia u bashkua me “Platformën e Kievit”. Dhe për t’ia ngrirë në buzë diplomacisë europiane buzëqeshjen serbe, diplomacia ruse nxitoi të vinte pikat mbi “i” dhe e la BE të nanuritej vetëm një ditë me ëndrrat e saj filoserbe. Moska urdhëroi ministrin e jashtëm serb që menjëherë të hidhte poshtë zyrtarisht çdo iluzion se Serbia i ishte bashkuar “Platformës së Krimesë”.
Në kuadër të lëvizjes mashtruese të Serbisë ndaj BE sikur po bashkohet me “Platformën e Kievit”, del e nevojshme të ndalesh te situata shqetësuese e sjelljes së diplomacisë së BE ndaj Serbisë si aleate strategjike e Rusisë, që po zhvillon një luftë pushtuese në kontinentin europian.
Çështja e parë që shtrohet është se sa gjatë duhet të vazhdojë kjo telenovelë bajate e Beogradit me diplomacinë e BE, ku po luhen bllofe të trasha antiruse për ta mikluar diplomacinë e BE që t’i fale Serbisë tradhëtitë e pareshtura strategjike me Kremlinin.
Çeshtja e dytë është se sa gjatë do të vazhdojë diplomacia e BE që të gënjejë veten dhe të përpiqet që të gënjejë shtetet anëtare dhe shtetet kandidate të BE se Serbia me hapat e saj të breshkës po largohet goja gradualisht nga Rusia. A vjen kjo nga një verbëri diplomatike apo nga një implikim i mundshëm i disa segmenteve të diplomacisë së BE me strategjinë e diplomacisë ruse në Europë, kjo mbetet për t’u parë.