Kosova
Serwer: Dialogu në duart e përfaqësuesve që kurrë s’kanë qenë të gatshëm ta njohin Kosovën
Daniel Serwer, specialist i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve socio-politike në Ballkanin Perëndimor, ka konsideruar se “qasja e pafrytshme” e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajon do të vazhdojë edhe për një fare kohe.
Ai ka thënë se me gjithë “papërsosmëritë e saj”, shteti i Kosovës është ndër “ndërmarrjet më të suksesshme” të demokracisë në Ballkanin Perëndimor që prej vitit 1995 dhe ndoshta në mbarë botën, porse njëkohësisht ka vlerësuar se Kosova tani është “më e izoluar se kurrë” për shkak të “politikave të njëanshme, kundërproduktive dhe të gabuara” të Brukselit e Uashingtonit.
“Ky është një problem. Prishtina ka humbur tërheqjen me Brukselin dhe Uashingtonin. Nuk ka asnjë meritë edhe kur në dialog parashtron një hap në drejtim të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.” U shpreh Serwer
Ai ka shpresuar se të paktën letra e dhjëtëra ligjvënësve të lartë evropiano-amerikanë për marrëdhënie me jashtë, ku kanë kërkuar nga shefat e diplomacive në Bruksel, Londër dhe Uashington, një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj Serbisë, do të ndryshonte qasjen aktuale të zyrtarëve perëndimorë, porse me administatën aktuale “politikat e njëanshme dhe të gabuara do të vazhdojnë”.
Serwer ka theksuar se administrata e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, ka nevojë për një “rivlerësim dhe rivendosje” të politikës, ndërsa duke komentur qasjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme të Sigurisë, Josep Borrell, ka shtuar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve është në duart e një përfaqësuesi që nuk ka qenë i gatshëm ta njohë Kosovën.
Persa i përket pozicionit të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, profesori amerikan ka thënë se pret qasje më të drejt nga një diplomat që ka luajtur një rol kyç në referendumin e pavarësisë së Malit të Zi më 2006, porse ka kujtuar se edhe pse ka premtuar se Sllovakia do ta njohë Kosovën, diplomati sllovak nuk ka arritur të përmbushë premtimin e tij.