Connect with us

Kosova

Serwer: ShBA-ja dhe BE-ja po mbyllin sytë ndaj veprimeve të Serbisë, kjo do të ketë pasoja

Daniel Serwer, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, duke folur për ngjarjet në Veri të Kosovës dhe dialogun Beograd-Prishtinë, tha se Perëndimi në përgjithësi, dhe SHBA-BE në veçanti, vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog, por pa asnjë pasojë për Serbinë, veprimet e së cilës kanë rritur në maj tensionet që duken të pakthyeshme.

Sipas tij, moskoherenca shkon deri aty sa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill mendoi se ishte me vend të sugjeronte që Serbia të anëtarësohej në NATO.

“Shumica dërrmuese e serbëve e refuzojnë këtë perspektivë. Brenda BE-së, është e vështirë ti kërkohet llogari Serbisë, sepse çdo vendim kërkon unanimitet. Hungaria pro-ruse e kryeministrit Viktor Orbanit është një planprishes i zakonshëm dhe rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Sllovaki do ta bëjë Bratislavën, mikun e ardhshëm më të mirë të Moskës” – theksoi Serwer

Sipas tij, përpjekja e vazhdueshme dhe e pafrytshme e administratës së presidentit Joe Biden, për ta kthyer Serbinë drejt Perëndimit, po bllokon çdo rimendimensionim serioz të politikës në rajonin e Ballkanit.

“Zyrtarët amerikanë thjesht nuk duan të pranojnë dështimin. Ata vazhdojnë të kërkojnë qetësim dhe janë të verbër ndaj keqbërjes së Beogradit” – theksoi Daniel Sewer

Advertisement