Sport
Sfida e rëndësishme kualifikuese, sytë te Shqipëri-Poloni në ‘Air Albania’
Shqipëria ka hyrë në një fazë të nxehtë të kualifikueseve të Euro 2024, ku me 7 shtator do përballet me Çekinë në Pragë, ndërsa 3 ditë më pas sfidon Poloninë në shtëpi. Ky takim i cili do mbahet në “Air Albania” me 10 shtator mbart një vlerë të veçantë si për kuqezinjtë, ashtu edhe për polakët, ndaj kjo ka zgjuar vëmendjen e UEFA-s dhe jo vetëm, pasi drejtuesit më të lartë të Federatave të Futbollit të Shqipërisë e Polonisë, Drejtuesit Qeverive dhe të Policisë Shqiptare e asaj Polake duhet të jenë të vëmendshëm për të gjitha situatat e mundshme.
Këtë ndeshje do ta monitorojnë tre oficerë sigurie të UEFA-s, ndërsa policisë shqiptare kolegët polakë i kanë dërguar një listë të gjatë të personave nga Polonia që autoritetet shqiptare duhet ti mbajnë nën mbikqyrje dhe të atyre që nuk duhet ti lejojë të futen në Stadiumin “Air Albania”. Sakaq Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë do jenë në gadishmëri prej paradites së 10 Shtatorit 2023. Nëse i shikojmë gjërat me detaje, masat e marra duken si ato të ndeshjes me Izraelin, e vlefshme për kualifikueset dhe e luajtur në vitin 2016.
Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit ka planifikuar disa takime me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe përfaqësues të kompanisë që merret me sigurinë e stadiumit “Air Albania ” për të koordinuar masat e marra për zhvillimin e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë mbrëmjen e 10 Shtatorit . Vlen të theksojmë se një pjesë e zyrtarëve të FSHF nuk i janë bashkuar delegacionit të ndeshjes ndaj Çekisë por janë të fokusur te ecuria dhe mbarëvajtja e sfidës me Poloninë. Shqipëria deri më tani ka grumbulluar 6 pikë dhe renditet në vendin e dytë.