Sport
Shansi i humbur për t’u bërë ‘hero’, Gashi largohet nga futbolli
Shkëlzen Gashi ka vendosur të “varë këpucët në gozhdë” në moshën 34-vjeçare. Ish-sulmuesi i Kombëtares ka qenë pjesë e Aarau në Zvicër, teksa ka luajtur 16 ndeshje me Shqipërinë (1 gol). Në një komunikatë në kanalet e komunikimit, Gashi ka treguar largimin nga futbolli i luajtur.
“Përshëndetje të gjithëve. Ka ardhur koha të ju informoj që kapitulli im i futbollit do të mbyllet në fund të këtij sezoni. Dua të falënderoj klubet e mija dhe bashkëlojtarët për momentet e paharruara dhe të suksesshme. Një falënderim i madh shkon për familjen time dhe shokët për mbështetjen. Jam shumë i entuziazmuar për të ardhmen dhe çdo gjë që do të vijë. I juaji Shkeli”, shkruan Gashi.
Sulmuesi mbahet mend nga tifozët e Shqipërisë për rastin e humbur në finalet e Euro 2016 kundër Zvicrës në Francë. Më 14 qershor 2016 Gashi kishte shansin të ishte heroi i kuqezinjve, duke u ndalur nga Sommer. 34-vjeçari aktualisht është pjesë e Aaraus në ligën e dytë të Zvicrës, teksa më parë ka luajtur edhe tek Bellinzona, Schaffausen, Xamax, Zurich e Baseli në Zvicër, kurse në ligën MLS në SHBA, ishte pjesë e skuadrës Colorado Rapids.