Kosova
SHBA: Asociacioni do të ndihmonte në normalizimin e raporteve
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të intensifikojnë përpjekjet që të përshpejtohet rruga drejt normalizimit të raporteve.
Gjatë një konference për media në Prishtinë më 13 maj, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja amerikane tha se nga normalizimi i raporteve do të përfitonin qytetarët e të dyja shteteve.
Power ka qëndruar në Kosovë për dy ditë dhe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin po ashtu ka biseduar për dialogun me Serbinë.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër arritën Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por dokumenti prej 11 nenesh kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.