Connect with us

Rajon

SHBA i futi në listën e zezë, Prokuroria në Shkup nis hetimin ndaj Grubit e Bexhetit

Prokuroria e Shkupit njoftoi të mërkurën se e ka nisur një hetim kundër ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, në lidhje me dyshimet për përfshirje në korrupsion të lartë, pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara i futën ata në listën e zezë.

Kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi se synimi i hetimit është të vërtetojë nëse ka përgjegjësi penale për Grubin dhe Bexhetin, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).

“Në lidhje me listën e zezë, dua t’ju njoftoj se kam formuar lëndë për të siguruar prova për të vërtetuar përgjegjësinë penale të personave që përmenden për ryshfet dhe tregti, me ndikim. Prokuroria do të japë urdhra të mëtejshëm. Dua të theksoj se bashkëpunimi me SHBA-në dhe me Ambasadën [amerikane] është i shkëlqyeshëm si dhe na ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit”, tha Kocevski për gazetarë të mërkurën.

Të martën, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, tha se provat kundër tyre janë të disponueshme dhe institucionet maqedonase mund t’i gjejnë.

“Çfarë do të ndodhë më tej, varet nga institucionet që zbatojnë ligjin dhe sistemi gjyqësor,” deklaroi Ageler në një konferencë për shtyp më 10 dhjetor.

Ajo gjithashtu theksoi se edhe individë të tjerë të cilët figurojnë në listën e zezë të SHBA-së, janë përfshirë në procedura ligjore.

“Ka procedurë kundër Ramiz Merkos [kryetari i komunës së Strugës], ndaj Stevço Jakimovskit [kryetari i Komunës së Karposhit], ka gjithashtu procedurë edhe ndaj personave të tjerë nga lista e zezë. Nga ana jonë veprohet pothuajse për të gjithë personat që janë në listën e zezë”, shtoi Kocevski.

DASH-i e futi Grubin bashkë me familje të ngushtë në listën e zezë të SHBA-së më 9 dhjetor. Grubi e ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në korrupsion. Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, tha të mërkurën në Shkup se partia e tij nuk ka për qëllim të kontestojë vendimet e Departamentit amerikan të Shtetit.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve rreth mundësisë së përjashtimit të Grubit nga partia, Ahmeti theksoi se Grubi është një person “i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm” dhe se nuk është e nevojshme që ai të përjashtohet nga partia, sepse “ai do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”.

Aggeler nuk e ka përjashtuar mundësinë që Uashingtoni të shqyrtojë mundësi të reja për të vendosur sanksione ndaj individëve të tjerë të dyshuar për krime dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

“[Futja në listën e zezë] e individëve që janë përfshirë në korrupsion kriminal, është një proces që vazhdon. Ka një listë shumë dinamike, në kuptimin që ajo vazhdimisht shtohet, dhe provat shqyrtohen shumë me kujdes në Uashington”, theksoi Aggeler.

Ndërkohë, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të veprojë lidhur me këto raste.

“Ekzistojnë mënyra në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërmjet vendeve për të siguruar prova të nevojshme dhe për t’i nisur procedurat. Përndryshe, ne nuk reagojmë kur duhet, dhe kështu tolerojmë paligjshmërinë. Pres që Gjykata dhe Prokuroria të veprojnë”, tha Siljanovska-Davkova.

Gjatë këtij viti, përveç Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Enver Bexheti, në listën e zezë amerikane janë përfshirë edhe ish-prokurorja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski.

Ndërsa, në vitit 2023, SHBA zgjeroi listën e zezë, duke futur në të kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre “në korrupsion të profilit të lartë”.

Po ashtu, në listën e zezë janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, dhe disa figura të tjera./REL

Advertisement