Kosova
SHBA i kërkon llogari Serbisë për sulmin në Banjskë/ Lista Serbe me propagandë
Nënkryetari i Listës Serbe, Dragisha Miloviç ka vazhduar narrativën ruso-serbe që u pa në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku u diskutua për “ndalimin e dinarit serb në Kosovë”, duke thënë se gjoja në këtë mbledhje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i vetmi që u mbajt përgjegjës për situatën e brishtë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor
Në protestën që u mbajt të hënën në veri të Mitrovicës, e thirrur fillimisht nga pensionistët serbë për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila e njeh euron si të vetmen valutë në Kosovë, Miloviç duke thënë se “në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 13 prej shteteve anëtare nga 15 sa janë gjithsej, janë pajtuar që ai që krijon probleme e që shkakton telashe është Albin Kurti”, nuk përmendi fare deklaratat e përfaqësueses amerikane, e cila e mbajti Serbinë përgjegjëse për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
“Ky është rasti të themi që nuk pajtohemi me vendimet e Albin Kutit, vendime këto që vetëm sa e përkeqësojnë situatën në veri. Dhe, në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 13 nga 15 shtetet anëtare janë pajtuar se ai që krijon probleme e që shkakton telashe është Albin Kurti”, tha nënkryetari i Listës Serbe
Ai vazhdoi propagandën e ruso-serbe duke thënë se gjoja serbët po “luftojnë për mbijetesë”.
Kujtojmë se ishte përfaqësuesja e SHBA-së në Nju Jork, Linda Thomas-Greenfield, të enjten deklaroi se vendi i saj mbetet i përkushtuar për paqe e stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se Serbia duhet të jep llogari për autorët e sulmit terrorist në Banjska, teksa kërkoi shtyrjen e vendimit të Kosovës për heqjen e dinarit.