Connect with us

Aktualitet

SHBA-ja dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova nënshkruan sot  (24 gusht 2023) një marrëveshje për shkëmbimin dhe ruajtën e informacioneve të klasifikuara.

Marrëveshja SHBA – Kosovë për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori Hovenier.

“Aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejtë dhe pa pengesa është jetike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse shënon kulmin e më shumë se 2 viteve të negociatave por përfaqëson edhe arsyetimin e fuqishëm të SHBA-së  për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë”, deklaroi Hovenier.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë marrë përsipër detyrimet për të mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, dhe japin mundësinë për të shkëmbyer këto informacione me njëra tjetrën.

“Marrëveshja avancon aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përmes shkëmbimit të informacionit me Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë ndaj sovranitetit të Kosovës” thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë në disa fusha, përfshirë në rritjen e aftësive për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial përmes shkëmbimit të informacioneve me SHBA-në, integrimin e plotë në strukturat e sigurisë Euro-Atlantike, si dhe zhvillimin e suksesshëm të Forcë së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale të suksesshme, shumetnike dhe që operon sikur NATO-ja, sipas Ambasadës amerikane.

Advertisement