Kosova
SHBA-ja s’do të ketë më qasje tradicionale ndaj Kosovës dhe Serbisë
Ish-ambasadori amerikan në Serbi në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë Cameron Munter, ka thënë se negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve nuk mund të vazhdojnë pa ndryshuar asgjë, “nëse nuk duam t’i kalojmë edhe 15 vjet të tjerë duke pritur”.
Rikthimi i Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas tij, do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë pasi që, siç pohon ai, Trump do marrëveshje.
“Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë… Nuk ka rëndësi. Ai do marrëveshje dhe nuk është strategjik”, thotë Munter në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”.
Sipas ish-diplomatit amerikan, kjo do të thotë se mënyra tradicionale strategjike me të cilën kanë biseduar Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, “nuk është më qëllim i Donald Trump-it”.
“Atij nuk i intereson nëse dikush do të hyjë ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Atij i intereson arritja e një marrëveshjeje” – theksoi ish ambasadori
Munter mendon se njerëzit që jetojnë në rajon, njerëzit që punojnë në rajon, “duhet ta kenë parasysh se qasja e deritashme nuk do të funksionojë më – nuk do të ketë më një Gabriel Escobar që e mbështet Miroslav Lajçak-un”.
“Amerikanët nuk do të jenë më pjesë e kësaj. Ata do të thonë: kemi probleme me gazin natyror, me imigrimin, me investimet… Do të na ndihmoni t’i zgjidhim apo jo? Dhe, kështu, Kosova, Serbia, Mali i Zi… të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë pjesë e përgjigjes, në vend se të jenë problemi që BE-ja duhet ta zgjidhë”, shtoi Munter
Sipas tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka avantazhe dhe disavantazhe në raport me presidentin e zgjedhur, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka punuar në krijimin e lidhjeve personale me njerëzit e administratës së tij.
“Kurtit do t’i duhet të punojë shumë për të krijuar një lidhje personale me njerëzit në administratën Trump. Në këtë drejtim, Vuçiç ka bërë punë më të mirë në të kaluarën”, potencoi ndër të tjera Cameron Munter